FMN: Performanca fiskale e dobët, të identifikohen shkaqet

14/05/2015 00:00

Jens Reinke, përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë, thotë se FMN-ja e priste që të ardhurat të ishin më të ulëta nga plani në muajt e parë të vitit, por jo në këto përmasa.

“Performanca e të ardhurave në buxhet ishte zhgënjyese. Ndoshta, jo e gjitha në mënyrë surprizë. Paraprakisht, ne ishim në dijeni të disa faktorëve që do të kishin efekte negative tek të ardhurat, mes tyre çmimi i ulët i naftës, i cili godet akcizën, TVSH-në dhe rentën. Gjithashtu, importi më i ulët i cigareve, por mbi të gjitha edhe inflacioni relativisht i ulët kanë ndikuar në këtë rezultat. Por, thënë këtë, këta faktorë nuk e shpjegojnë të gjithë rënien e të ardhurave, pasi ajo është më e lartë se këto efekte”, tha Reinke.
 
Të dhënat paraprake tregojnë se të ardhurat janë me mosrealizim edhe për muajin prill. FMN-ja thotë se në këtë pikë është shumë e rëndësishme të kuptohet me shpejtësi cilët janë shkaqet e kësaj tendence.

“Është ende herët për të dhënë konkluzione, e përsëris, por ndoshta është me vend të kujtojmë që vitin e kaluar qeveria bëri një sërë përjashtimesh nga taksat për disa sektorë të ndryshëm. Edhe pse në mënyrë individuale, këto përjashtime duken të vogla dhe nuk kanë efekt të madh në buxhet, ato kanë filluar të minojnë integritetin e sistemit tatimor, ndaj ne duam të diskutojmë me qeverinë se si t’i trajtojmë këto përjashtime taksash në të ardhmen”, shpjegoi Reinke.

Top Channel: Por, a e vë kjo ecuri e të ardhurave në rrezik buxhetin dhe cila është zgjidhja që propozon FMN-ja?

Jens Reinke: Para së gjithash, mund të them që edhe shpenzimet janë më të ulëta se plani. Ndaj, në këtë drejtim nuk përballemi ende me ndonjë rrezik për rritje dramatike të deficitit. Pra, targeti i deficitit mund të arrihet, edhe pse mosrealizimi i të ardhurave dhe ai i shpenzimeve nuk është rezultati më i mirë për ta bërë këtë. Përtej kësaj, ne kemi parë që Shqipëria ka një eficencë tatimore të dobët edhe nëse krahasohet me vendet e rajonit. Kështu që, fokusi kryesor do të ishte përmirësimi i mbledhjes së taksave dhe rritja e eficencës.

Në lidhje me ekonominë, Fondi vlerëson se rimëkëmbja po vazhdon edhe pse me ritme më të ulëta se sa pritej në fillim: “Ekonomia vazhdon të rimëkëmbet. Rritja është përshpejtuar, por ndoshta më ngadalë nga sa kemi parashikuar. Muajin tjetër ne do të kemi misionin e radhës, i cili do të bëjë një rishikim të plotë të kuadrit makro. Besoj se do të ketë një rishikim të lehtë në ulje për rritjen ekonomike që ne presim për këtë vit, por sërish ne jemi optimistë”.
 
Këtë të enjte, Bordi i Drejtorëve të Fondit e miratoi rishikimin periodik për marrëveshjen me Shqipërinë, duke lëvruar edhe këstin e radhës së kredisë për qeverinë.

Top Channel