Avokati i Popullit: Të evakuohen banorët nga Marinza

14/05/2015 00:00

Avokati i Popullit kërkon evakuim të përkohshëm të banorëve në Patoz-Marinzë, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes me substanca kimike.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit, mbështetur në analiza të institucioneve përkatëse, gazi sulfhidrik rezulton në ajër 20 herë më shumë se norma e lejuar dhe po kështu gazi metan 4-5 herë më shumë se norma e lejuar.

“Kjo prani në ajër e gazit sulfhidrik në matjet e datës 16 prill, 20 herë më shumë se sa kufiri maksimal dhe e gazit metan, 4-5 herë më shumë se kufiri maksimal, logjikisht kërkon një evakuim të banorëve nga ato zona ku ekzistojnë këto të dhëna. Në të tilla raste mendojmë që evakuimet duhet të jenë të përkohshme. Sipas ekspertëve të jashtëm, nuk bëhet fjalë për një rrezik eminent të organizimit, po bëhet fjalë për një rrezik afatgjatë”, tha Avokati i Popullir, Igli Totozani.

Një grup banorësh nga Patoz-Marinza janë takuar me Avokatin e Popullit, ku i shprehën ankesa lidhur me organet vendore në Fier dhe dëmshpërblimet.

“Bankers vetë thotë që unë i kam dhënë investimet, i kam shlyer detyrimet ndaj shtetit. Gjejini vetë. Kush do t’i gjejë? Askush nuk na jep përgjigje. Prefekti? Nuk shqetësohet fare. I kemi bërë një kërkesë për të marrë një komunikim dhe nuk kemi asnjë përgjigje nga Prefekti”, thotë një prej banorëve të Marinzës.

Avokati i Popullitui kërkon institucioneve shtetërore të vijojnë analizat në këtë zonë dhe të deklarohen zyrtarisht nëse këta banorë vazhdojnë të jenë të riskuar.

Nga ana tjetër, brenda dy ditëve ai do të nisë dhe rekomandimet përkatëse për to. Çështja e dëmshpërblimit do jetë pjesë e punës hetimore nga Avokati i Popullit në një fazë të dytë.

Top Channel