NATO diskuton për Maqedoninë. Shqipëria: Hetim ndërkombëtar për “Kumanovën”

14/05/2015 00:00

Qëndrimit zyrtar të Tiranës për ngjarjen në lagjen e shqiptarëve në Kumanovë, ministri i Jashtëm shqiptar i shtoi në ministerialin e NATO-s, mbajtur në Antalia të Turqisë, edhe kërkesën për hetim ndërkombëtar.

Është e domosdoshme – tha Ditmir Bushati, – që të përcaktohet nga drejtësia e vendeve të përparuara, ajo që ndodhi në Kumanovë. Vetëm një hetim i tillë, sipas tij, do të qartësonte në mënyrë të plotë, transparente dhe të besueshme, atë që ndodhi fundjavën e shkuar në vendin fqinj.

Duke nënvizuar faktin, që çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës nuk i shërben qëndrueshmërisë demokratike dhe prosperitetit të Maqedonisë, ministri Bushati ftoi, që gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës euro-atlantike të Maqedonisë.

Ministri Bushati i rikujtoi Maqedonisë nga ky ministerial, se harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në “Marrëveshjen e Ohrit”, është përcaktuese për të ardhmen euroatlantike të saj.

Shefi i diplomacisë shqiptare kërkoi një angazhim gjithëpërfshirës të aleancës, kundrejt të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në kritere të qarta, për konsolidimin e sigurisë në rajon.

Vendet kryesore të aleancës, sikundër edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehën gjithashtu shqetësimin për situatën në Maqedoni, vend kandidat për në NATO dhe BE. Vendet e NATO-s ngritën shqetësimin e asaj, që nxorrën në pah ngjarjet e fundit në fqinjin tonë, situatën e brishtë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Top Channel