Dëshmitari për rastin “Monstra”: Nuk më lejuan të dëshmoj!

14/05/2015 00:00

Më 12 prill të vitit 2012, te liqeni i Smilkovës që ndodhet në afërsi të Shkupit, u vranë 5 persona me armë zjarri. Ajo që është aktuale dhe që, edhe sot hedh dyshim për hetimin dhe vendimet gjyqësore, është fakti se për Sami Lutën, i cili është i dënuar me burg të përjetshëm, paraqiten dëshmitarë, të cilëve nuk u është lejuar të dëshmojnë në mbrojtje të tij.

Njëri prej tyre është edhe një shok i afërt i Samiut, i cili në kushte anonimiteti u ka pohuar mediave maqedonase se, natën kur ka ndodhur vrasja, ai dhe Samiu kanë qenë në “internet caffe”-në e lagjes.

“Rreth orës 22:00 lexova për vrasjen në internet, ndërsa ai ishte afër meje dhe menjëherë i tregova se çfarë ka ndodhur. Nuk mund ta besonim se çfarë kishte ndodhur me të vërtetë, nuk e dinim dhe as që e kishim të qartë, për cilin liqen bëhej fjalë. Asnjëherë më parë nuk kishim dëgjuar se ekziston liqeni i Smilkovës”, ka pohuar shoku i të dënuarit me burgim të përjetshëm.

Ndërkohë, udhëheqësi i LSDM-së opozitare maqedonase, Zoran Zaev ka paralajmëruar se, në kuadër të projektit të tij “E vërteta për Maqedoninë” do t’i publikojë të gjitha materialet që zotëron për rastin “Monstra”.

Top Channel