Greqia heq dorë nga padia kundër Anglisë për skulpturat e lashta

14/05/2015 00:00

Greqia ka hequr dorë nga ideja për të paditur Britaninë e Madhe për një koleksion skulpturash të lashta të marra prej Lord Elgin në vitin 1819, kur vendi ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane.  

Lëvizja e Athinës ishte e papritur edhe për vetë Londrën. Ministri grek i Kulturës tha së në vend të padisë, Greqia do të përqendrohet për gjetjen e një zgjidhjeje politike dhe diplomatike për rikthimin e skulpturave në fjalë.

Më herët Athina ishte këshilluar nga Amal Clooney, avokate britanike dhe bashkëshortja e George Clooney, që të padiste Britaninë e Madhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për rikthimin e skulpturave.

Në Greqi skulpturat njihen si “Skulpturat e Partenonit”. Athina këmbëngul se marrja e tyre është e paligjshme dhe javën e kaluar, Amal Clooney i paraqiti një raport prej 150 faqesh Qeverisë greke, ku këshillohej ngritja e padisë ndaj Britanisë së Madhe.

Në Dhjetor të vitit të kaluar, një vendimi i Muzeut Britanik për të zhvendosur në Shën Peterburg këto statuja 2500-vjeçare të Greqisë së Lashtë, rindezi debatet mes Athinës dhe Londrës.

Kryeministri grek i asaj kohe, Andonis Samaras deklaroi se vendimi për të ekspozuar në formë huazimi veprat e rralla të artit antik të punuara në mermer, ishte një ‘ofendim për popullin grek’.

“Ne grekët jemi të bashkuar rreth historisë tonë, histori që nuk mund të thyhet, të jepet me qira, të shitet dhe as të dhurohet”- deklaronte Samaras.

Greqia prej kohësh i kërkon Anglisë t’i kthejë këto pjesë të historisë së saj antike, por kërkesa është refuzuar me argumentimin se punimet nuk mund të lëvizen pasi në të kundërt rrezikojnë të prishen.

Skulpturat janë pjesë e dekoreve të Partenonit dhe mendohet se janë punuar në vitet 447-432 para Erës Sonë. Pjesa më e madhe e tyre përfunduan në Britani nga diplomati Lord Elgin, i cili i mori nga Greqia në vitin 1819, kur vendi ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

Përpjekjet e Athinës për të rimarrë këtë pjesë të trashëgimisë së vet historike, janë përforcuar ndjeshëm që pas 2009, vit kur përfundoi ndërtimi i muzeut të madh, i projektuar për të strehuar të gjitha veprat e artit të lashtë e që i kanë mbijetuar kohës.

Më herët dy artifakte të lashtësisë, që datojnë rreth 4 mijë vjet më parë dhe që janë vjedhur nga Greqia para pesë dekadash, i janë kthyer Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Athinës nga Muzeu Gjerman i Baden Wurtenbergut, ku ato kanë qenë te ekspozuara prej vitit 1978.

Bëhet fjalë për një statujë gruaje prej mermeri 90 cm e gjatë, si dhe një disk i gdhëndur i quajtur “Ena e Tiganisjes”, që i përkasin periudhës së hershme çikladike, me vlerë mbi 4 milionë euro.

Dy objektet në fjalë kanë qenë shkak për polemika të shumta mes Greqisë dhe Gjermanisë për vite me radhë, derisa një komision i koleksionistëve dhe shkencëtarëve të Landit të Badenit ka pranuar se blerja e objekteve të vjedhura nga Muzeu Gjerman ishte e gabuar, dhe se ato, sipas një ligji të UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimive kulturore, duhet të ktheheshin aty ku ishin marrë.

“Ne jemi këtu për të marrë përgjegjësinë e këtij akti, duke e korrigjuar atë, duke i dhënë përsëri këto dy objekte Greqisë. Kjo është një nga shenjat për zhdukjen e hendekut që ekziston mes nesh. Qëllimi është për të filluar një miqësi të re të sigurisë, besimit dhe respektit”, deklaronte Katarina Horst, nga muzeu i Landit të Badenit.

Ka më shumë se 10 vjet që Ministria greke e Kulturës ka nisur një fushatë për rikthimin e mijëra objekteve të antikitetit që janë vjedhur dhe janë shitur në mënyrë të paligjshme jashtë vendit. Vetëm vitin e kaluar janë kthyer mijëra objekte qeramike të marra nga trupat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kthimi i tyre rindezi debatet dhe rriti shpresat edhe për rikthimin e mermerëve të Partenonit.

Top Channel