Reagime në Mitrovicë për planin e rivarrosjes së Boletinit në Vlorë

14/05/2015 00:00

Vendimi i Këshillit Organizativ për rivarrosjen e eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini, në Vlorë ka ngjallur reagime të familjarëve të tij, si dhe të kryetarit të Komunës së Mitrovicës.

Përveç familjarëve të ngushtë të heroit kombëtar, pjesa tjetër e familjes këmbëngul, që eshtrat e Isa Boletinit duhet të varrosen në varrin e Kullës, ku ka jetuar dhe ku ka luftuar ai, në fshatin me të njëjtin emër, i cili ndodhet në veri të Mitrovicës.

Të alarmuar me vendimin, familjarë të Isa Boletinit dhe banorë nga fshati Boletin kanë zhvilluar të enjten një takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nga i cili kanë kërkuar që të mos lejojë largimin e eshtrave të Isa Boletinit nga Mitrovica.

“Isai nuk ka luftuar për të shkuar e për t’u prehur atje, por ka luftuar për të qëndruar në Boletin. E kanë lutur duke i ofruar pasuri në Turqi e gjithandej, por Isai ka thënë se më shumë do të kishte dashur një gur të Boletinit, sesa gjithë pasurinë që do i jepnin. Dhe sot, nuk mund të lejojmë që ata ta marrin dhe ta dërgojnë në Vlorë, jo”, tha Skënder Boletini, familjar.

“Isa Boletini është i Boletinit, i Mitrovicës, i Kosovës dhe i krejt Shqipërisë. Unë dhe gjithë familja Boletini ofrojmë përkrahjen e plotë për angazhimin dhe rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit në Boletin”, tha Sadik Boletini, familjar.

“Jo vetëm fshatarët e Boletinit dhe anëtarët e familjes, por edhe një pjesë e familjes Boletini që jeton në Shqipëri janë me ne. I kam kontaktuar personalisht me telefon dhe të gjithë janë të këtij qëndrimi. Kështu që veprimi, në këtë rast, është vetëm i Gazmend Boletinit. Të gjithë ne jemi kundër”, tha Tafil Peçi-Boletini.

“Nuk do të më ndalë askush. Nuk po dua ta them të fundit, por mendoj se kryeministri do t’ia vejë gishtin kokës dhe do ta mendojë mirë, se kjo punë nuk do të mund të bëhet. Ju kam thënë edhe dje, po ua përsëris edhe të gjithëve këtu, se do të bëjmë gjithçka dhe Isa Boletini do të varroset në vendin e vet. Për këtë keni përkrahjen time, pavarësisht çfarë mund të bëhet”, tha Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës, gjatë ditës së enjte ka takuar edhe intelektualët e qytetit të tij, nga të cilët ka marrë mbështetje, që të mos lejojë dërgimin e eshtrave të heroit kombëtar në Vlorë.

Bahtiri pritet që, të premten të kërkojë edhe zyrtarisht nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, që ta anulojnë vendimin e Këshillit Organizativ.

Ndaj vendimit për dërgimin e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë ka pasur reagim edhe nga partitë politike në Kosovë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se, rivarrosja e eshtrave të Boletinit kudo tjetër është gabim, përveç se në Kullën e tij.

Ndërsa kryetari i Gjilanit, nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri tha se heroi kombëtar Isa Boletini duhet të pushojë aty, ku i ka pritur topat kundër “mbretërisë” serbo-kroato-sllovene. Edhe “Nisma për Kosovën” e sheh këtë si një vrasje të dytë të heroit, duke thënë se Vlora nuk është zgjedhur për ta nderuar, pasi kjo çështje është negociuar me Serbinë.

Vendi ku ishte parashikuar, që të bëhej rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit, ndodhet brenda hapësirës së kullës së tij. Ai, bashkë me bashkëluftëtarët e tij janë vrarë më 23 Janar 1916, në Podgoricë të Malit të Zi.

Top Channel