Alarmi i shkencëtarëve: Bletët po zhduken

14/05/2015 00:00

Vitin e shkuar komuniteti i shkencëtarëve nisi të festojë uljen e humbjeve të kolonive të bletëve, ulje që nuk ishte në shifrat e kërkuara, por që gjithsesi ishte domethënëse në betejën për ruajtjen e tyre.

Në atë kohë, Dennis Van Engelsdorp, profesor entomolog në Universitetin e Merilendit në Shtetet e Bashkuara do të shprehej se ky është një lajm i mirë. Humbjet e regjistruara për 2014 të kolonive të bletëve ishin 23 për qind, 7 pikë më pak se mesatarja 2005-2013.

Në atë kohë shkencëtarët cituan progresin në betejën kundër një paraziti aziatik, që cilësohej si vrasësi më i madh i bletëve.

Por Jeff Pettis, bashkëautor në hulumtimin e vitit të kaluar, deklarohej më pak optimist se kolegët e tij. “Të dhënat e një viti të vetëm nuk mund të përcaktojnë ecurinë”- shprehej ai.

E kur kanë kaluar vetëm 4 muaj nga 2015, fatkeqësisht Petti kishte të drejtë. Vetëm këtë vit 40 përqind e kolonive të bletëve janë zhdukur në Shtetet e Bashkuara.

Shkencëtarët po mundohen të kuptojnë arsyet dhe ajo që kanë vënë re në të shumtën e rasteve, të paktën deri më tani, është që nuk bëhet më fjalë për të njëjtin parazit.

Sipas tyre, ngordhja e bletëve është një sinjal i fortë paralajmërues për atë që po ndodh në agro-ekosistemin tonë.

Top Channel