Vendet baltike: NATO të jetë përherë e pranishme për shkak të kërcënimit rus

14/05/2015 00:00

Shtetet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, po përgatiten për një apel ndaj komandës së NATO-s, në mënyrë që t’u sigurojë një prezencë të përhershme të trupave të aleancës në territorin e tyre, për të kundërshtuar kështu rritjen e aktiviteteve ajrore dhe detare të Rusisë.

Lajmi bëhet i ditur nga ushtria lituaneze gjatë së enjtes. Shtetet në fjalë, të cilat kanë minoritete të etnisë ruse në përbërjen e popullsisë së tyre, i frikësohen faktit se mund të kthehen në shënjestrën e radhës të presionit të Kremlinit, pas rebelimit të separatistëve prorusë në Ukrainën lindore, por edhe deklaratës së Presidentit Vladimir Putin të vitit të kaluar, mbi detyrimin për të mbrojtur rusishtfolësit anembanë ish-Bashkimit Sovjetik.

“Në shenjë reagimi ndaj situatës së sigurisë në rajon dhe si masë parandalimi, shefat e mbrojtjes së vendeve baltike do t’i kërkojnë zyrtarisht Komandës Supreme të Aleatëve të NATO-s në Europë (SACEUR) vendosjen përfundimtare në një njësie ushtarake sa një brigadë e NATO-s, në shtetet e Baltikut”, tha zëdhënësi i ushtrisë lituaneze, Mindaugas Neimontas.

Shtetet baltike do të kërkojnë përmes letrës së tyre të përbashkët, që brigada të konsistojë në dërgimin e një njësie batalioni të trupave të NATO-s në secilin prej vendeve, që do të bëjnë rokadë sipas një plani të miratuar nga NATO. Përbërja e një brigade tipike të NATO-s shkon nga 3000 deri në 5000 trupa dhe përbëhet nga disa batalione.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur në një konferencë për shtyp në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve aleate në Turqi, tha se NATO ka rritur aktivitetin e mbikëqyrjes ajrore, ashtu sikurse asaj detare dhe prezencën tokësore, në rajonin në fjalë.

“Kur ta marrim letrën, do ta shqyrtojmë me kujdes dhe do të bëjmë vlerësimet e propozimeve të ndryshme. Por, mendoj se është ende herët për të komentuar në lidhje me detajet dhe specifikat e kësaj kërkese”.

Top Channel