Maqedoni, përfundon pa marrëveshje takimi i parë mes udhëheqësve politikë

14/05/2015 00:00

Udhëheqësit e partive kryesore në Maqedoni nuk kanë arritur marrëveshje konkrete për tejkalimin e krizës politike në takimin e tyre të parë. Ata kanë rënë dakort që të takohen përsëri të hënën për të vendosur në një kornizë propozimet e tyre për vazhdimin e dialogut.

Por, pas takimit dy udhëheqësit maqedonas lanë të kuptohej se nuk kanë ndërmend që të lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre.

Kryeministri Nikolla Gruevski tha se nuk e mendon dorëheqjen, kurse kreu i opozitës tha se zgjidhja e krizës është e pamundur pa dorëheqjen e Gruevskit dhe pa formimin e qeverisë kalimtare.

“Është e vështirë të jepet vlerësim nëse takimi ka qenë i suksesshëm apo jo. Nëse merret për bazë deklarata e përbashkët mund të them se takimi ishte i suksesshëm. Nëse merret parasysh diçka tjetër, nuk ishte i suksesshëm. Është herët për vlerësime”- tha Gruevski.

“Normalizimi i situatës në Maqedoni është i mundur vetëm përmes formimit të një qeverie kalimtare që do ta përgatisë vendin tonë për zgjedhje korrekte dhe demokratike”- u shpreh nga ana tjetër Zoran Zaev, kryetari i LSDM-së.

Gjatë takimit që zgjati rreth tre orë janë bërë disa pushime, të cilat udhëheqësit shqiptarë, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së i kanë shfrytëzuar për të qëndruar bashkë në tarracën e Klubit të Deputetëve, ku është zhvilluar takimi.

Por, ndryshe nga udhëheqësit maqedonas, Thaçi dhe Ahmeti nuk komentuan për media. Në vend të tyre para gazetarëve folën shkurt Artan Grubi nga BDI-ja dhe Luan Tresi i PDSH-ja.

“U morën vesh që takimet të vazhdojnë dhe u caktua edhe data e takimit, i cili do të mbahet të hënën”- tha Luan Tresi, zëdhënësi i PDSH-së.

“BDI përshëndet fillimin e dialogut politik në vend mes katër forcave kryesore politike me prezencën e komunitetit ndërkombëtar në vend”- deklaroi Artan Grubi, shefi i kabinetit të kryetarit të BDI Ali Ahmetit.-

Gjatë takimit përfaqësuesit e katër partive politike kanë shpërndarë një deklaratë të përbashkët që thuhet se është miratuar   nga liderët partiak.

Në këtë deklaratë thuhet se në një javë të vështirë për shtetin liderët u takuam për ti dhënë përkrahje të përbashkët vlerave të demokratike, përfshirë të drejtën e protestës dhe dënimin e dhunës, pavarësisht a është për qëllime kriminale apo politike.

Ata gjithashtu u pajtuan të vazhdojnë dialogun për hir të avancimit të agjendës euroatlantike për të mirën e të gjithë qytetarëve.

 Në takimin midis katër liderëve morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve, Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

Top Channel