Rama shpërndan legalizime dhe kërkon votën në Paskuqan

14/05/2015 00:00

Për të dytën herë brënda 1 viti kryeministri Edi Rama u rikthye në Paskuqan ku shpërndau edhe 750 leje të tjera legalizimi.

Duke iu përgjigjur akuzave se këto janë leje për fushatë elektorale, kryeministri i hodhi poshtë këtë pretendim të opozitës, pasi sipas tij në të gjithë Shqipërinë leje të tilla janë shpërndarë sistematikisht çdo javë.

“Në 8 vjet ata bënë vetëm 155 legalizime. 155 legalizime janë më pak se 2 për qind e kërkesave që për 8 vjet me radhë prisnin për të marrë përgjigje. Ne që atë ditë që jemi takuar këtu, e deri më sot, kemi bërë gati dhe do të shpërndajmë sot 750 legalizime, plus legalizimet që janë bërë gjatë kësaj periudhe, kemi kaluar 1 mijë legalizime vetëm këtu”- deklaroi Rama.

Nëse doni të zgjedhur vendor të dedikuar për mitingje dhe jo punë, keni kandidatët e PD-s tha Rama, të cilët i quajti si oficerë pa uniform.

“Nëse këtu në Kamëz votoni atë që keni pasur gjithë këto kohë, nuk keni ç’prisni ndryshe. Çfarë do prisni ndryshe? Çfarë do të bëjë më mirë? Ku janë provat që do të bëjë më mirë? Nuk ekzistojnë dhe do të përsëritet e njëjta gjë. Të kërkosh të ndryshosh një situatë të krijuar nga ecja në rrugë të gabuar duke vazhduar po në atë rrugë, do të thotë të kesh po të njëjtin rezultat”- u shpreh Rama.

Top Channel