NATO dhe BE, bashkëpunim për t’u përballur me “luftën hibride” të stilit “krimean”

14/05/2015 00:00

NATO dhe Bashkimi Europian ranë dakord këtë të enjte për të punuar më shumë së bashku mbi përballimin e një “lufte hibride”, referuar përzierjes së trupave të paidentifikueshëm, propagandës dhe presionit ekonomik, që aleanca ushtarake atlantiko-veriore akuzon Rusinë ta ketë përdorur kundër Ukrainës.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, njoftoi gjithashtu ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të mbledhur në një takim në Turqi, mbi planet e saj për një operacion të BE-së për të shkatërruar varkat që përdoren për të trafikuar mijëra emigrantë nga Libia drejt Europës.

NATO bëri të ditur se, nga ana e saj, do të marrë në konsideratë çdo lloj kërkese për ndihmë në këtë operacion, por Bashkimi Europian duket se nuk ka bërë diçka të tillë deri më tani.

Kritikët thonë se kriza e Ukrainës ka treguar se NATO nuk është ende e përgatitur sa ç’duhet për t’u përballur me taktika të pazakonta, si sulmet kibernetike, luftën e informacionit dhe milicitë e paligjshme.

Trupa ushtarake ruse, pa shenja dalluese, të cilët janë konsideruar si “njerëzit e vegjël të gjelbër”, janë infiltruar në Krime përpara se të ndodhte aneksimi i Krimesë nga Moska, vitin e kaluar.

Komandanti ushtarak i NATO-s, njëkohësisht edhe Gjeneral i Forcave Ajrore të SHBA-ve, Philip Breedlove tha se Ukraina ka qenë një shënjestër e fushate më të gjerë diplomatike, propagandistike, ushtarake dhe ekonomike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjeneral Jens Stoltenberg tha se ai, së bashku me Mogherinin, kishin rënë dakord të “intensifikonin bashkëpunimin NATO-BE në luftimin e të tilla luftrave hibride”. “Do të sigurohemi se strategjitë e zhvilluara prej nesh janë plotësuese të njëra-tjetrës, kështu që të mund të punojmë së bashku me shpejtësi dhe efektivitet, në rast të ndonjë kërcënimi hibrid kundër ndonjërit prej vendeve anëtare të aleancës”, tha ai në konferencën për shtyp.

Zyrtarët e NATO-s kanë studiuar sesi mund t’i përgjgjen një operacionit të stilit “krimean” ndaj aleatëve të detit Baltik, përfshi këtu Estoninë apo Letoninë, të cilat kanë minoritete të mëdha rusishtfolësish.

NATO dhe BE janë të shqetësuara në lidhje me atë, që ata e shohin si dezinformim të qëllimshëm, të koordinuar nga Kremlini në lidhje me rolin dhe synimet e Moskës. Mogherini është duke punuar mbi një përgjigje të BE-së, që mund të përfshijë edhe transmetimet në gjuhën ruse për etnitë ruse në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik.

“Ne po përballemi me dezinformime të sofistikuara dhe fushata radikalizimi. Arma jonë më e mirë kundër dezinformimit është informacioni i bazuar mbi vlerat tona të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe shoqërive të hapura”, tha Stoltenberg.

BE synon të marrë autorizimine Kombeve të Bashkuara për një operacion ushtarak për të luftuar organizatat e trafikantëve të qenieve njerëzore, si dhe për të shkatërruar anijet e tyre që dërgojnë flukse të mëdha emigrantësh përmes detit Mesdhe, ku kanë humbur me mijëra jetë deri më tani.

Top Channel