Kori amerikan surprizon parlamentarët shqiptarë

14/05/2015 00:00

Në seancën e mëngjesit të kësaj të enjteje, Parlamenti shqiptar pati të ftuarit më të pazakontë. Një grup prej 70 studentësh amerikanë zgjodhën për të dhënë një mesazh patriotizmi nëpërmjet këngës, duke u vendosur në hyrje të godinës së Kuvendit.

Ata janë të rinj dhe të reja nga Universiteti “Master” në Los Angeles, të cilët përpara se të vinin në Shqipëri mësuan disa këngë shqiptare.

Çdo vit, ata bëjnë turne në vende të ndryshme të botës e këtë radhë zgjodhën Shqipërinë.

Edhe pse janë të kombësive të ndryshme, nuk e patën të vështirë të mësojnë tekstet shqip të këngëve si “Xhamadani vija-vija”, “Himni kombëtar” apo “Alfabeti shqip”.

Fillimisht deputetët mbetën të habitur nga kori, por më pas u bënë spektatorë, duke duartrokitur dhe shijuar shfaqjen. Këngët patriotike krijuan atmosferë pozitive atdhedashurie, pikërisht në godinën ku ligjvënësit vendosin për shqiptarët.

Simbolika ishte e qartë, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për dashuri për njëri-tjetrin dhe vendin ku jetojmë. Më pas, deputetët hynë në Parlament, për të vazhduar seancën plenare normalisht me rendin e ditës.

Top Channel