Siri, Shteti Islamik drejt qytetit të shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO

14/05/2015 00:00

Xhihadistët e Shtetit Islamik raportohen të jenë duke përparuar gjatë kësaj të enjteje drejt një zone të kontrolluar prej forcave qeveritare, pranë një prej vendeve të shpallura pjesë e Trashëgimisë Botërore në Siri.

Grupi xhihadist ka ndërmarrë të tilla sulme edhe në të kaluarën, duke shkatërruar sende antike me shumë vlerë edhe në Irak.

Luftëtarët e Shtetit Islamik, përmes rrjeteve sociale online, kanë bërë të ditur se grupi po bombardon një bazë ajrore pranë Tadmurit, një oaz në shkretëtirën që ndodhet në verilindje të Damaskut, të njohur ndryshe si Palmyra.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, grup monitorues i luftës civile në Siri me seli në Londër, ka bërë të ditur se militantët xhihadistë kanë marrë pozicione të rëndësishme jashtë qytetit, që listohet edhe si Trashëgimi Botërore e mbrojtur nga UNESCO, pasi vunë nën kontroll al-Sukhna, 75 km në verilindje, gjatë së mërkurës.

Një burim i ushtrisë siriane ka bërë të ditur se luftimet vazhdojnë për në al-Sukhna për të dytën ditë dhe trupat ushtarake janë ende në pozicionet e tyre.

Mirëpo ushtria siriane dhe militantët aleatë libanesë janë tërhequr nga veriperëndimi dhe jugu së fundi, edhe pse këtë javë kishin mundur të zmbrapsnin kryengritësit nga zona malore pranë kufirit siriano-libanes, në veri të Damaskut.

Top Channel