Piano apo saksofon? Dilema e artistit të vogël…

14/05/2015 00:00

Ai është saksofonisti më i vogël i Liceut Artistik në Tiranë. Tedi Drazhi duket sikur ka lindur për t’u bërë artist. Ishte një dëshirë e prindërve, që i biri të zgjidhte rrugën e artit, duke u lidhur fillimisht me pianon.

“Tedi që 5 vjeç në kopshtin Nënë Tereza, shfaqi elementë të talentit për muzikën, që i vuri re edukatorja dhe na sugjeroi të ndiqnim rrugën e artit. Kështu vepruam, shkoi në Lice dhe fitoi konkursin për piano”, tregon babai.

“Sa për pianon, më pëlqen tingulli i saj në krahasim me veglat e tjera. Gjithashtu, konsiderohet edhe si mbretëresha e veglave muzikore”, shprehet Tedi.

Për 7 vite, pianoja u bë një vegël muzikore e pandashme për Tedin. Mësuese Valbona Simixhiu e ndihmoi që ai të rritej shumë profesionalisht, por në moshën 13-vjeçare ai duhet të zgjidhte edhe një vegël tjetër muzikore, për të ushtruar pasionin e tij për artin.

“Çdo nxënës i klasës së 7-të duhej të zgjidhte një vegël të dytë muzikore. Në atë kohë më kishte hyrë në qejf muzika Jazz dhe një nga veglat e preferuara të miat të kësaj muzike frymore ishte saksofoni”, tregon më tej Tedi.

Idhulli i Tedit është Frederik Shopen. Kompozimet e tij, ai i luan kudo, madje edhe në koncertet që ka realizuar, e ku nuk mungojnë emocionet.

“Duart më ftohen shumë nga emocionet, por sapo ulem në piano qetësohem dhe jap maksimumin”, thotë Tedi.

Tashmë, që koha e tij muzikore ndahet me saksofonit dhe pianos, duket sikur puna i është vështirësuar pak.

“Filloj duke studiuar pianon, më pas saksofonin, ose me ndonjë shokun tim që ka gjithashtu qejf muzikën Jazz kombinohemi. Për momentin, më i vështirë është saksofoni, por ia kam marrë dorën”, shprehet Tedi.

Në moshën 13-vjeçare, me talent mjaft premtues, Tedi ende nuk e ka zgjedhur se cila do të jetë dashuria artistike e tij: pianoja apo saksofoni, muzika klasike apo “Jazz”-i.

“Do mendohem edhe pak, pastaj do të zgjedh me kë të vazhdoj”.

Top Channel