Tentuan të trafikonin mbi 2300 kg hashash drejt Italisë, në gjyq 4 persona

14/05/2015 00:00

Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen ndaj 4 shtetasve, të akuzuar për trafikimin të lëndëve narkotike.

Shtetasit Burim Gjunkshi, administrator i shoqërisë së transportit “Donjeta”, lindur dhe banues në Maqedoni, Aco Nikolovksi me shtetësi maqedonase, shofer kamioni, si edhe shtetasit Julian Byzyka dhe Armand Kuçi, akuzohen se janë përgjegjës për trafikun e mbetur në tentativë të 2365 kg lëndë narkotike cannabis sattiva.

Të katër këta shtetas dyshohet se janë organizatorë të trafikut të lëndëve narkotike drejt Italisë. Policia ra në gjurmët e tyre Prillin e viti të kaluar, kur në portin e Durrësit gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin e drejtuar nga shtetasi maqedonas, Ace Nikolovski u gjet një sasi prej 2356 kilogramësh hashash.

Ndaj Nikolosvskit u mor menjëherë masa e ndalimit, ndërkohë që pas marrjes në pyetje u përforcuan dyshimet e policisë se bëhej fjalë për një rrjet trafiku lëndësh narkotike.

Sipas tij, gjatë rrugës para se të mbërrinte në portin e Durrësit, ai ishte ndaluar nga tre persona të armatosur, të cilët kishin dijeni se ai ishte rrugës drejt Italisë dhe duke e kërcënuar me armë, kanë vendosur disa çanta në pjesën e pasme të kamionit dhe i kanë kërkuar që të mos i ngacmojë deri sa të mbërrijë në Itali.

Nikolovski drejtonte automjetin për llogari të kompanisë “Donjeta”, që administrohej nga Burim Gjunkshi. Ky shtetas gjendej në Shqipëri ditën pas arrestimit të shoferit dhe u shoqëruar për verifikim në komisariatin e Policisë Durrës. Gjatë bisedës që ky shtetas zhvilloi me shoferin e kamionit, rezultoi se ata të dy ishin në dijeni të lëndës narkotike në kamion dhe diskutuan për mënyrën e paraqitjes së alibive të ndryshme. Në këto kushte, u bë arrestimi edhe i shtetasit Gjunkshi.

Në vijim të hetimit, rezultoi se në çantat me canabbis të gjetura në kamion, u gjet gjurma e dorës së shtetasit Julian Byzyka. Ky i fundit rezultoi se ishte arrestuar pak ditë para se të ndalohej kamioni në Durrës, pasi në bashkëpunim me shtetasin Armand Kuçi po transportonin nga Fieri në drejtim të Vlorës sasinë prej 1545 kg lëndë narkotike canabbis sattiva, në bordin e një furgoni.

Top Channel