Procedurat për të vizituar të paraburgosurit kosovarë në Shkup

14/05/2015 00:00

Ambasada e Kosovës në Maqedoni ka publikuar të enjten procedurat, sesi familjarët e të arrestuarve në Kumanovë mund t’i vizitojnë ata, në qendrën e paraburgimit në Shkup.

Në lidhje me shtetasit e Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim në Shkup, informohen familjarët se, për të realizuar vizitat, në bazë të ligjit për Procedura Penale të nenit 178 të Republikës së Maqedonisë, duhet ndjekur procedura si në vijim:

– Familjari duhet të paraqitet në Gjykatën Themelore “Shkup 1” në Shkup, ku do të paraqesë kërkesën për vizitë tek i paraburgosuri. Kjo mund të bëhet me, apo pa avokat. Pas aprovimit të kërkesës, po atë ditë realizohet vizita;

– Datat e mundshme për vizita janë: 19-20 Maj si dhe 3-4 Qershor; përgjithësisht vizitat lejohen dy herë brenda muajit.

– Familjarët mund të sjellin veshmbathje, ushqime dhe barna çdo ditë pune. Ato duhen dorëzuar te porta e burgut. Ushqimi duhet të jetë i blerë brenda Maqedonisë dhe i shoqëruar me faturën fiskale;

Gjykata Themelore “Shkup 1”, në Shkup është afër ndërtesës së RTV të Maqedonisë, ndërsa Burgu i Shkupit gjendet në komunën e Shutkës.

Top Channel