I arratisuri rrëfen ngjarjen e Kumanovës: U dorëzuam prej OSBE-së

14/05/2015 00:00

Sulejman Osmani, i arratisur nga duart e Policisë së Maqedonisë pas ngjarjeve të Kumanovës, në një rrëfim për RTK-në mohon spekulimet se grupi i armatosur kishte qëllime materiale.

Osmani thotë se, qëllimi i grupit është krijimi i shtetit shqiptar brenda Maqedonisë, me një model të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.

Sipas tij, grupi i luftëtarëve është më shumë se 2 mijë veta.

Osmani thotë se, ata nuk janë dorëzuar në mungesë të municionit, por se njëri nga shokët kishte folur në telefon dhe i kishin thënë se në “lagjen e trimave” ishin edhe përfaqësuesit e OSBE-së.

“Ne menduam po do të na merrte në dorëzim OSBE-ja dhe jo policia. Po ta kishim ditur nuk do të ishim dorëzuar, por do të qëndronim aty deri sa të vriteshim”, thotë Osmani.

Pas arrestimit, ai ishte detyruar të tregonte vendin e fshehjes së armëve në Goshincë, ku më pas kishte mundur të arratisej maleve.

Osmani tregon se Mirsad Ndrecajn e ka parë të plagosur në momentin kur janë arrestuar, por që nuk di më shumë se çfarë ka ndodhur me të, raporton televizioni publik kosovar, RTK.

Top Channel