Basha shpall platformën e PD: Ulje taksash, çmimit të energjisë dhe falje të kamatëvonesave

15/05/2015 00:00

Ulja e taksave është një politikë kombëtare e Partisë Demokratike dhe shtyllë kryesore e programit të saj elektoral. Por jo vetëm kaq.

Në takimet me banorë të Bashkisë së Durrësit në zonën e ish-Kënetës, Katund të Ri dhe Sukth, Lulzim Basha shpalli disa masa konkrete edhe për uljen e ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, që Partia Demokratike do të ndërmarrë nëse më 21 qershor, siç thotë opozita, nis largimi me votë i qeverisë së shpunësimit, varfërisë dhe eksodit.

“Punësimi juaj nuk është prioritet i qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës, punësimi është prioriteti im dhe i PD. Platforma e demokratëve është së pari ulja e taksave për t’u mundësuar bizneseve të hapin më shumë vende pune dhe vende pune me paga më të mira. Së dyti, falja e kamatë-vonesave anembanë vendit dhe ulja me 25% e çmimit të energjisë elektrike”, deklaroi Basha.

Partia Demokratike thotë se në ofertën e saj të re ka vend për rikthimin e politikës qeverisëse të rritjes së pagave, e ngrirë prej dy vjetësh, si dhe propozohet fundi i një padrejtësie shtetërore, që u ka hequr ndihmën ekonomike rreth 40 mijë familjeve të varfëra.

“Duke votuar për PD, ju do të votoni alternativën tonë të heqjes nga frigoriferi i ngrirjes të pensioneve e rrogave, rritjes së rrogave e pensioneve dhe rikthimin në listën e asistencës ekonomike të të gjitha familjeve që janë hequr në mënyrë të padrejtë nga kjo listë, duke i privuar nga buka e gojës”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës Lulzim Basha kërkoi votën për Partinë Demokratike, sepse, sipas tij, kjo qeveri e ka provuar veten gjatë këtyre dy vjetëve, se në axhendën e vet nuk ka mirëqënien e qytetarëve, por pasurimin e pandalshëm dhe marrjen nën kontroll të çdo pushteti në vend.

“Opozita paraqiti amendamentet për uljen e taksave për biznesin që punëson të rinj, por ata e votuan kundër, siç votuan kundër amendamentin tonë para tre muajsh për uljen e çmimit të energjisë, siç votuan kundër amendamentin tonë për uljen e çmimit të naftës. Ky nuk është drejtimi i duhur për Shqipërinë, ky nuk është drejtimi i duhur për njerëzit, ky është drejtimi i duhur vetëm për një grusht njerëzish që kanë vendosur të pasurohen në kurrizin e shqiptarëve, në kurrizin e më të varfërve, në kurrizin e taksapaguesve, në kurrizin tuaj”, u tha Basha banorëve.

Top Channel