Veliaj: Trajtim të barabartë për punësim dhe edukim për të gjithë

15/05/2015 00:00

“Unë jam djali i një nëneje, e cila ka qepur këpucë për të më rritur, për të më çuar në shkollë. Dua të them se kam shumë respekt për të gjitha ato nëna, që iu bëhen gishtat gjak, por ama kanë një punë të ndershme”, tha Veliaj.

Erion Veliaj bëri këtë rrëfim në takimin me punonjëset e Zonës Industriale, për të thënë se vizioni i tij për Tiranën është ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë.

“Ata mundohen të më thonë mua dhe fëmijëve tuaj, se ne jemi askushi. Kujt ia thonë këtë? Megjithatë, më mirë të jesh askushi dhe i ndershëm, sesa dikushi dhe i poshtër e të kesh marrë njerëz në qafë”, vijoi më tej Veliaj.

Nivele edukimi të barabartë për të gjithë është ajo që premton Erion Veliaj, shtuar kësaj edhe ofrimin e tyre pranë zonave industriale.

Transporti, një nga temat për të cilat u pyet më shumë, i dha rastin kandidatit të së majtës të cilësojë projekt aventurier tramin e premtuar aq bujshëm nga Lulzim Basha, duke i dhënë këtij shqetësimi një përgjigje më të thjeshtë.

“Ne të integrojmë linjat urbane me linjat rurale dhe të shkojmë nga 10 në 19-20 linja. Kemi një ekip urbanistësh. Dyfishimi i linjave dhe rikthimi i korsive të dedikuara do të na mundësonte një zhdërvjelltësi dhe një trafik shumë më të lehtësuar”, tha Veliaj.

Dita ndërkombëtare e Familjes ishte rasti, që Erion Veliaj të rinënvizonte se më 21 Qershor, qytetarët do të vendosin për administratorin e qytetit, atë që do t’iu ofrojë zgjidhje për shqetësimet e tyre të përditshme.

Duke thënë këtë, kandidati i së majtës kundërshtoi strategjinë, që po ndjekin rivalët në garë, se zgjedhjet janë zgjidhje politike.

“Asnjë prej nesh nuk duhet të ngatërrojë interesin e familjes së tij me interesin e familjes politike të SHQUP-it. Sepse familja jonë është e para dhe interesi i familjes sonë është më i madh se interesi i çdo partie. Këta mundohen të vijnë sot dhe të thonë se nuk janë ata, kanë ndryshuar dhe sot kanë një fytyrë babaxhane që tregojnë barcoleta me gra. Mos u gënjeni, janë po të njëjtën që kanë bërë të gjitha poshtërsitë që Shqipëria ka parë, dhe sot hiqen sikur janë dikush tjetër. Janë po ata, që e sollën vendin në këtë gjendje dhe që e çuan Tiranën në kundërvajtje. Por ne e kemi një përgjigje: Tiranën do ta çojmë në drejtimin e duhur”, theksoi Veliaj.

Top Channel