PD, Kosova: Spital bashkiak për qytetarët e Tiranës

15/05/2015 00:00

Me banorët e Laprakës, Halim Kosova zbuloi disa pika të rëndësishme të programit të tij për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

E para, ishte ideja për ngritjen e një spitali vetëm për banorët e Tiranës, një risi që Halim Kosova premton ta realizojë sipas standardeve më të mira.

“Që në ndihmë të qytetarëve të Tiranës, Bashkia e ardhshme e Tiranës të ketë spitalin  e saj bashkiak, që me menaxhimin dhe me syrin e vëmendjen time do të krijojë një model, për një shërbim që qytetarët meritojnë, por do t’i bëjmë edhe një konkurrencë dinjitoze sistemit shëndetësor të propozuar nga qeveria dhe t’i themi që ky vend ka mundësi të ofrojë shembuj pozitivë dhe merreni kopjojeni dhe çojeni në çdo qytet, në mënyrë që këtë shërbim shëndetësor që Tirana nesër do të ketë, pse mos e kenë të gjithë qytetarët kudo që banojnë”, tha Kosova.

Ideja e dytë ishte transparenca maksimale e buxhetit të bashkisë, si mënyra më e mirë për menaxhimin e ndershëm të fondeve: “Mu në mes të Tiranës do të vendos një tabelë të madhe, ku në mënyrë transparente, çdo qytetar të shohë se ku ikin lekët e taksave, si shpërndahen ato, kush paguan e kush jo. Vetëm atëherë lekët do ju kthehen juve”.

Në Laprakë, ku Halim Kosova qëndroi deri në mbrëmje, një demokrat i vuri në dukje një prej arsyeve pse Partia Demokratike humbi pushtetin 2 vjet më parë: sjellja arrogante e administratës. Një leksion që Halim Kosova duket se e ka mësuar prej kohësh dhe e ka bërë lejtmotiv të punës dhe të fushatës së tij.
 
“Njerëzit me meritë, njerëzit e përkushtuar, njerëzit që do të ndjekin hapin tim, do të jenë bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Për asnjë tjetër që ju ka cënuar dinjitetin, që ju ka penguar, nuk ka si të jetë pas meje”, u shpreh Kosova.

Top Channel