Nepal, gjendet helikopteri amerikan i rrëzuar

15/05/2015 00:00

Janë gjetur mbetjet e helikopterit amerikan që u zhduk këtë javë teksa shpërndante ndihma në afërsi të kufirit kinez në Nepal.

Gjashtë marinsa dhe 2 ushtarë nepalezë ndodheshin në bord dhe sipas autoriteteve nepaleze nuk ka shanse për të mbijetuar.

Në tërmetin e së martës, me fuqi 7.3 ballë, humbën jetën të paktën 110 persona.

Lëkundja sizmike erdhi teksa vendi po përpiqej për të marrë veten pas tërmetit të 25 prillit, që u mori jetën mbi 8 mijë personave dhe plagosi shumë të tjerë.

Botuesi i gazetës “Nepal Times”, Kunda Dixit deklaroi se mbetjet e helikopterit u gjetën 56 kilometra larg Katmandusë, në një zonë malore pranë fshatit Kalinçok, në një lartësi prej 3.383 metrash. Në vendin e ngjarjes janë dërguar trupa ushtarake tokësore.

Edhe pse motivet e rrëzimit nuk dihen ende, një helikopter tjetër indian që fluturonte aty pranë dëgjoi bisedat në radiomarrëse ku flitej për probleme me karburantin. Këtë të fundit e ka bërë të ditur koloneli Steve Warren i ushtrisë amerikane.

Marinsat po punonin në afërsi të fshatit Çarikot, një fshat që është prekur nga tërmetet. Helikopteri ishte nisur nga aeroporti i Katmandusë në kuadër të operacionit të shpërndarjes së ndihmave.

Top Channel