Argjentinë, “luftë kimike” në superklasike; lojtarët e River Plate sulmohen me spraj me piper

15/05/2015 00:00

Ndeshja e kthimit e fazës së 1/8-ve të Kupës Libertadores mes Boca Juniors dhe River Plate u ndërpre pak para nisjes së pjesës së dytë, pasi tifozët vendas sulmuan lojtarët e skuadrës kundërshtare me spraj me piper, kur ata po zbrisnin në fushën e lojës.

Sipas mediave argjentinase, lojtarët e Riverit u sulmuan në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes.

Përveç pamjeve dramatike, ra në sy edhe mungesa totale e ndihmës nga ana e lojtarëve dhe stafit të Boca Juniors. Për dy orë, lojtarët e Riverit qëndruan në mesin e fushës të rrethuar nga policia, pasi tifozët nuk lejonin që ata të hynin në dhomat e zhveshjes e të largoheshin nga stadiumi.

Ndërkohë, asnjë pjesëtar i Boca Juniors nuk doli për t’u bërë thirrje tifozëve për qetësi. “Ky është një turp i madh”, tha trajneri i River Plate, Marcelo Gallardo.

Leonardo Ponzio, Leonel Vangione, Ramiro Funes Mori dhe Matías Kranevitter ishin lojtarët që e pësuan më keq, pasi u panë në fushë me sy shumë të irrituar nga spraji.

“Nuk e kuptoj si u lejuan tifozët në tunel. Kishte policë kudo, nuk e di si ndodhi. Po më përcëllon fytyra”, tha Kranevitter.

FOTO GALERI
1/5
Leonel Vangioni, një nga futbollistët e sulmuar me spraj

Top Channel