Shpëtohen nga mbytja 700 emigrantë klandestinë në Azi

15/05/2015 00:00

Mbi 700 emigrantë nga Bangladeshi dhe Mianmari janë shpëtuar nga një varkë që po mbytej në brigjet e Indonezisë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se një tjetër varkë ndërkohë u zmbraps nga marina indoneziane, ndërsa nuk dihet fati i një tjetër mjeti lundrues me emigrantë. Mjeti lundrues ndodhej në ujërat tajlandeze.

Grupi i aktivistëve i “Human Rights Watch” ka paralajmëruar për një “ping-pong” me jetët e njerëzve në detin Andaman, ku mijëra emigrantë të tjerë përpiqen të arrijnë tokën.

Burime mjekësore lokale thanë për BBC-në se 8 nga personat e shpëtuar në afërsi të brigjeve të provincës Aceh ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Sipas informacioneve fillestare, ata u kthyen mbrapsht nga marina malajziane dhe hynë në ujërat indoneziane”, deklaroi një zyrtar i lartë i policisë lokale.

Ai tha gjithashtu se varka e tyre po mbytej dhe se një anije peshkimi i shoqëroi deri në breg.

Autoritetet zyrtare të Tajlandës, Malajzisë dhe Indonezisë janë të vendosur të kthejnë mbrapsht emigrantët që përpiqen të arrijnë në brigjet e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon u ka bërë thirrje këtyre vendeve që t’i mbajnë kufijtë hapur, në mënyrë që të ndihmojnë njerëzit në vështirësi.

Top Channel