A e zgjidh plani i BE-së krizën e refugjatëve?

15/05/2015 00:00

Një nga propozimet më të diskutuara për zgjidhjen e krizës së refugjatëve në Mesdhe është mbytja e anijeve të kontrabandistëve.

Në përpjekje për të shkatërruar modelin e biznesit të trafikantëve të qënieve njerëzore, Bashkimi Europian ka bërë pjesë të një plani më të gjerë shpëtimi të klandestinëve edhe një operacion ambicioz ushtarak të marinës. Përmes tij, Blloku kërkon të jetë i aftë të identifikojë, diktojë e mundësisht, shkatërroje anijet e trafikantëve në ujërat e Libisë, çka do të kërkonte një rezolutë të Kombeve të Bashkuara.

Gjermania shprehet e bindur se Këshilli i Sigurimit do ta japë pëlqimin e tij. Por edhe pse kjo ide ka gjetur mjaft mbështetje në radhët e anëtarëve të BE-së, nuk janë të paktë ekspertët që hezitojnë ta përshëndesin nismën.

Sipas tyre, ka shume çështje që mbeten të hapura. Kush duhet të vendosë se cila është anije kontrabandistësh dhe cila jo? A do të kapen vërtet drejtuesit e kontrabandistëve apo vetëm ndihmësit e tyre? A ka rrezik që të vdesin edhe të pafajshëm, kur trupat e BE-së të mësyjnë edhe tokën në Libi?

Në fakt, nuk ekziston një përgjigje e qartë dhe e vendosur për pyetjen: a e zgjidh vërtet përdorimi i armëve dramën e refugjatëve? Edhe nëse goditet trafikimi në Libi, pas një fare kohe si klandestinët, ashtu edhe kontrabandistët mund të gjejnë rrugë të tjera kalimi. Që aktiviteti i këtyre bandave kriminale duhet frenuar, këtë ekspertët as që e vënë në diskutim.

Por modeli i një biznesi të tillë nuk dështon po u mbytën anijet; ai shembet vetem nëse mundësohet udhëtimi legal për në Europë. Kjo është e vetmja mënyrë që të mos ketë më kërkesa për kontabandistët, – thonë këta zëra, – duke shtuar se do të lipset padyshim edhe bashkëpunimi i shumëpërfolur i vendeve të origjinës prej nga vërshojnë refugjatët.

Top Channel