Shqipëria, “magnet” për kompanitë greke

15/05/2015 00:00

Pavarësisht se Greqia kalon periudhën më të vështirë ekonomike të saj dhe numëron në pesë vitet e fundit mbi 200 mijë biznese të mbyllura dhe më shumë se 700 mijë vende pune të humbura, shfaqet një tendencë në rritje për migrimin e disa qindra bizneseve greke drejt Shqipërisë.

Vetëm në dyvjeçarin 2011-2013 është dyfishuar numri i bizneseve greke në Shqipëri dhe investimi është rritur në 1.1 miliardë euro, nga 782 milionë që ishte në vitin 2012.

Sipas të dhënave nga zyra qendrore e bizneseve në Tiranë, ka një rritje me 81% prej vitit 2010. Kështu, në fund të vitit 2013 bizneset greke përfaqësonin 26% të gjithë investimeve të huaja në Shqipëri.

Sipas Institutit të Statistikave, në Shqipëri veprojnë më shumë se 500 biznese greke, ndërsa mbi 300 të tjera interesohen çdo vit pranë zyrës ekonomike të ambasadës greke në Tiranë për të zgjeruar veprimtarinë e tyre në Shqipëri.

Fushat kryesore ku veprojnë bizneset greke janë shërbimet bankare, sektori i ndërtimit, i industrisë në përgjithësi, shërbimet shëndetësore, ato të telekomunikacionit, të tregtisë dhe arsimit.

Faktorët që ndihmojnë këtë rritje të investimeve greke, sipas burimeve qeveritare në Athinë, janë emigrimi i qindra mijëra shtetasve shqiptarë, afërsia gjeografike, mjedisi social, korniza institucionale, funksionimi aktual i tregut, i administratës publike, aftësitë e burimeve njerëzore, stabiliteti i kursit të qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë, por edhe koeficienti tatimor. Në fillim ka qenë vetëm 10% mbi fitimin, tashmë është rritur në 15%, por përsëri mbetet më i ulët se në Greqi.

Por gjithashtu vihet në dukje se këto investime nga Greqia, si dhe nga Italia, megjithëse dy vende në krizë në pesë vitet e fundit, do të ishin shtuar nëse në Shqipëri do të kishte pasur përmirësime të dukshme në infrastrukturë, në drejtësi, në administratën publike, të drejtat mbi pronën, në luftën kundër korrupsionit dhe konkurrencës së pandershme.

Harmonizimi i kornizës institucionale me BE-në vlerësohet se do t’i japë shtysë të mëtejshme rritjes së partneriteteve të biznesit dhe zhvillimit të infrastrukturës në ndërtimin e rrugëve të reja, porteve, hekurudhave, si dhe do të krijojë një imazh pozitiv për thithjen e sa më shumë investimeve të huaja dhe rritjes së sektorit të turizmit.

Top Channel