Aksioni për hidrokarburet, Ahmetaj: Mbi 30% e subjekteve, evazion fiskal

15/05/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj bëri publike rezultatet e aksionit të koordinuar mbi tregun e karburanteve. Sipas tij, gjatë dhjetë ditëve të para ka rezultuar se mbi 30 për qind e pikave të kontrolluara kryejnë evazion.

“Nga 122 kontrolle janë konstatuar 40 raste me shkelje, që janë denoncuar për ndjekje penale dhe ndaj tyre ka nisur hetimi penal. Pra, 40 subjekte janë proceduar për fshehje të ardhurash, nga të cilat 5 edhe për ruajtje, magazinim e tregtim të mallrave të kontrabandës, ndërsa 2 edhe për mashtrim me cilësinë”, deklaroi Ahmetaj.

Organet e rendit kanë arrestuar 6 pronarë apo administratorë të pikave tregtare me pakicë për hidrokarburet, ndërkohë që dhjetëra të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Por këta janë vetëm tregtarët e vegjël.

“Javën që vjen do fokusohemi tek shitësit e shumicës. Qeveria e thekson se abuzimi me hidrokarburet merr fund këtu”, theksoi Ahmetaj.

Sipas vlerësimeve të vetë qeverisë, informaliteti në fushën e karburanteve mund të jetë në shkallë të përafërt me atë të tregut energjitik, pra rreth 150 milionë euro. Ahmetaj tha se nga fillimi i aksionit, numri i kuponave tatimorë të lëshuar nga pikat e pakicës është rritur me 10 për qind.

Top Channel