Deklaratat e Erdogan, Nikolla: Kolegjet turke janë të ligjshme

15/05/2015 00:00

Pas deklaratave të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Tiranë, i cili kërkoi mbylljen e veprimtarisë që është nën ndikimin e lëvizjes ideologjike të Fetullah Gylen, mes të cilave edhe të një rrjeti shkollash, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se këto struktura arsimore veprojnë në ligjshmëri të plotë.

“Ministria e Arsimit ka në kompetencë të plotë verifikimin e kritereve të ligjshmërisë. Pa dyshim, laicitetin, shkolla të sigurta, dhe ne jemi të vendosur dhe e kemi treguar me përgjegjësi që këtë e bëjmë në mënyrë korrekte dhe më të mirë të mundshme”, tha Nikolla.

Gjatë kontrollit të ushtruar në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar këtë vit u mbyllën 13 institucioneve, që nuk plotësonin kriteret ligjore. Këto deklarata ministrja Nikolla i bëri gjatë përmbylljes së fazës së parë të trajnimit të 75 mësuesve të klasave të para dhe të gjashta.

Për herë të parë, mbi 1500 mësues do të trajnohen në mënyrë që nxënësit të aftësohen jo vetëm për njohuritë që marrin nga tekstet, por edhe për mënyrën se si ata mund t’i përdorin ato.

“Mësuesit shqiptarë janë gati për t’u përfshirë këtë shtator në klasën e parë e të gjashtë, në sistemin e ri të kurrikulës të drejtuar nga kompetencat. Kurrikula më e thjeshtë, më pak e ngarkuar dhe e duhura për t’i bërë nxënësit tanë të suksesshëm dhe të orientuar nga problemet që ofron jeta”, vijoi Nikolla.

Janë përzgjedhur mësuesit e klasave të para dhe të gjashta për trajnim, pasi këtyre klasave do t’u ndryshojnë tekset në vitin e ri shkollor.

Top Channel