Nënshtetësia greke, drafti me kushtet që duhet fituar

15/05/2015 00:00

Qeveria greke ka hartuar projektligjin ku përcakton kushtet për fitimin e shtetësisë nga emigrantët dhe dhënien e lejes së qëndrimit për ta.

Mediat greke raportojnë se ministrja Tasia Christodoulopoulou prej javësh është marrë me përgatitjen e këtij projektligji. Në thelb të tij janë rregullat për kushtet e shtetësisë të fëmijëve të emigrantëve të huaj që kanë lindur në Greqi, apo dhe të huaj që janë diplomuar në shkollat, universitetet dhe kolegjet greke.

Kushti i parë për shtetësinë është e drejta e regjistrimit në klasën e parë fillore në shkollën greke, dhe monitorimi i vazhdueshëm nga shkolla në kohën e aplikimit.

Kushti i dytë është që prindërit e fëmijës që banon në Greqi, të kenë qenë të paktën pesë vite në shtetin helen para lindjes së fëmijës. “Nëse fëmija ka lindur para përfundimit të afatit të pesë viteve qëndrimi, e drejta themelore e marrjes së shtetësisë greke për prindërit lind pasi të jenë plotësuar 10 vite vendbanim i përhershëm”, thuhet në projektligj.

Në draftin e punuar nga qeveria e mëparshme ishin dhe dy kushte të tjera: të pasurit një dëftesë të shkollës së mesme apo një diplomë të universitetit, apo dhe të ketë përfunduar arsimin e detyruar nëntë-vjeçar dhe të ketë kaluar në lice.

Por përveç fëmijëve të emigrantëve, të lindur në Greqi, drafti i mëparshëm nuk kishte dispozitë për ata që quhen “brezi i mesit”. Pra, fëmijët e emigrantëve, të cilët edhe pse nuk kanë lindur në Greqi, kanë kaluar kohë të mjaftueshme dhe kanë kaluar me sukses sistemin arsimor grek.

Drafti aktual parashikon që në këto raste “e drejta e shtetësisë greke është për të huajt që banojnë përgjithmonë dhe ligjërisht në Greqi, që janë diplomuar në universitetet greke, por me kusht që të kenë dhe dëftesën e shkollës së mesme të përfunduar në Greqi”.

Ndërsa për lejen e qëndrimit, ajo do të reduktohet nga 10 deri në 7 vjet qëndrim të vazhdueshëm me të drejtë rinovimi, kur ai nuk ka vizë të mëparshme apo leje qëndrimi të skaduar.

Top Channel