PS, Dako takon fermerët: Tre rezervuarët e ujit, në funksion për vaditje

15/05/2015 00:00

Tre rezervuarët e ujit në zonën e Romanatit, Bozanxhies dhe Rrashbullit do vihen në funksion, si dhe do ndërtohen rrugët në mes të parcelave.

Kështu deklaroi Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, gjatë takimit me fermerët e kësaj zone, e cila me ndarjen e re territoriale përfshihet në bashkinë e qytetit bregdetar.

“Ujitja e këtyre tokave bujqësore do të realizohet nëpërmjet vënies në funksion të tre rezervuarëve të zonës, falë investimeve të bashkisë”, u shpreh dako, duke shtuar se, sapo të nisë mandati i ri do të fillojë puna për shtrimin e rrugëve lidhëse të arave dhe për lidhjen e tyre me rrugën kryesore, në mënyrë që të garantohet dërgimi i shpejtë i produkteve bujqësore në treg.

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Durrësit premtoi edhe krijimin e Inspektoriatit të Arave, që sipas tij, do të merret me kanalet vaditëse të bllokuar nga individë. Kryebashkiaku e vuri theksin edhe tek rëndësia e produkteve bio dhe u shpreh se do t’i mbështesë fermerët për garantimin e tregut vendas për prodhimet e tyre.

 

Top Channel