Vijon odiseja e mashtrimit nga kompania e ndërtimit. Banorët, në protestë për shtëpitë

15/05/2015 00:00

Një grup familjesh në Tiranë kanë nisur një grevë, të cilën paralajmërojnë se nuk do ta ndërpresin pa marrë një zgjidhje përfundimtare për shtëpitë e tyre, për të cilat një kompani ndërtimi i ka mashtruar.

Janë 15 familje, gratë e të cilave kanë vendosur të drejtojnë betejën publike për të përfituar apartamentet, sipas kontratës që kanë nënshkruar me kompaninë e ndërtimit, që shembi shtëpitë e tyre për të ndërtuar një pallat. Por tani që godina është drejt fundit, kompania u mohon aprtamentet.

“Ne nuk do të zbresim. Unë kam kohë që jam rrugëve, kam dy vjet dhe më ka thënë që ‘këtu shtëpi nuk keni’. ‘Pallati nuk është për ju, por për t’u shitur’”, tha një prej protestuesve.

Nuk është hera e parë që kanë zgjedhur këtë mënyrë, por nuk ia kanë dalë, pasi janë mashtruar disa herë. “Nënat dhe motrat tona janë futur atje dhe janë nisur me mendimin që ose do të marrim shtëpitë, ose do të vetëflijohemi”, tha një tjetër.

Dokumentacioni i tyre është nëpër gjykata, madje kanë fituar të drejtën në dy shkallë të gjyqësorit. “Këtu ka korrupsion. Na është mohuar zgjidhja dhe gjyqtari ka thënë se ‘unë nuk ju përgjigjem’. Komisari erdhi na tha ‘dilni nga greva, se do të merrni shtëpitë’, por asgjë nuk është bërë”, denoncon një grua.

Presidenti i kompanisë nuk mund të kontaktohet nga banorët, ndërsa pallati ka vazhduar ndërtimin, edhe pse ka patur një urdhër pezullimi. Ata shpresojnë se kalvari i mundimeve të tyre të marrë fund, edhe pse tek drejtësia nuk kanë më besim.

Top Channel