Kosovë, kundërshtohet varrimi i Boletinit në Vlorë. Deputetët kërkojnë sqarime

15/05/2015 00:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kundërshtojnë propozimin qeveritar për rivarrimin e eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini, në Vlorë. Deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati e quajti të nxituar këtë vendim, duke kërkuar kështu që rivarrimi të bëhet në vendin e lindjes, në Boletin.

“Edhe pse është thënë se ekziston një vendim, edhe pse ka pasur kontakte me autoritetet nga Shqipëria, mendoj që nuk është vonë, që kjo çështje të diskutohet dhe të merret një vendim, aq i drejtë sa edhe i del hakut e veprës së Isa Boletinin, por edhe gjithë opionionit në Mitrovicë. Duke konsideruar se ky është një veprim i ngutshëm, një veprim i cili ka nxitur polemika dhe ka ngritur në këmbë gjithë opinionin në Mitroivës e më gjerë, mendoj se në një situatë të tillë i takon secilit trup, edhe këshillit organizativ, qeverisë apo institucioneve të tjera, që ta shqyrtojnë edhe njëherë këtë çështje dhe të marrim vendim të arsyeshëm. Unë mendoj se, vendimi i arsyeshëm është kthimi i mbetjeve mortore, kthimi i eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarve të tjerë në komunën e Mitrovicës”, tha Sadri Ferati, deputet I LDK-së.

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi akuzoi qeverinë e Kosovës se, përmes folklorizmit patriotik, siç tha, po përpiqet të mbulojë dështimin e radhës.

“Heronjtë kombëtar si Isa Boletini e pasardhësit e tij, Adem Jashari, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Zahir Pajaziti, e mijëra gra e burra të rënë ndër shekuj, meritojnë të paktën të prehen në paqe në dheun e Kosovës. Lojërat e ekzekutivit, ku po mëkëmbet përditë vullneti i qytetarëve të shumicës dhe ku i nënshtrohen diktatit të pakicës, flasin për mungesën e vizionit për ndërtim të një shteti modern, ku respektohet Kushtetuta dhe ku sovraniteti i vendit nuk falet përditë. Me këtë rast, përmes folklorizmit patriotik, po mundoheni të mbuloni dështimin e radhës për t’u sjellë si shtet brenda territorit të shtetit. Të gjithë tani po i dinë arsyet e këtij vendimi. I dini edhe ju. I bëj thirrje Kuvendit sot, që të reflektojë dhe të kërkojmë si institucion ligjvënës nga qeveria e vendit, të tërheqë vendimin e marrë dhe të veprojë konform kërkesave të qytetarëve, ku vullneti i shumicës përcakton”, tha Donika Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar AAK.

Për këtë çështje diskutoi sërish edhe Kuvendi Komunal i Mitrovicës. Anëtarët e Asamblesë, bashkë me kryetarin e kësaj komune, kërkuan rishqyrtimin e vendimit, bashkë me kërkesën e vetme që rivarrimi të bëhet në Boletin.

Top Channel