Gratë e dhunuara gjatë luftës, vijon grumbullimi i fustaneve për solidarizim

15/05/2015 00:00

Pas qyteteve të ndryshme në Kosovë, edhe në Prishtinë ka filluar dhurimi i një fustani në shenjë solidariteti me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Grumbullimi i fundeve ose fustaneve është organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, për instalacionin ku këto veshje grash do të vendosen në varëse rrobash, në fushën e stadiumit të Prishtinës.

Autore e “Mendoj për ty” është artistja Alketa Xhafa-Mripa, ndërsa producente: gazetarja dhe sociologia e njohur në Kosovë, Anna Di Lellio.

Ndër të parat që dhuruan fustane ishte Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila i bëri thirrje shoqërisë, që të respektojnë këto viktima, pasi sipas saj turpi nuk duhet të bjerë mbi to, por mbi ata që kryen këto krime makabre.

“Jemi duke u munduar, që të përçojmë një mesazh edhe më të fuqishëm, jo vetëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe në rajon e më gjerë. Përmes kësaj vepre artistike, përmes këtij instalacioni, ne jemi duke treguar jo vetëm atë që dimë, pikërisht pafajësinë e të gjitha këtyre viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe që ne jemi një me të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Gjithashtu edhe që ne do të vazhdojmë të tregojmë përkrahjen tonë të fuqishme”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Presidentja shtoi se, fustani që dhuroi nuk ishte i pari që pa në garderobë, por i një momenti shumë të rëndësishëm për të dhe familjen e saj.

Artistja Alketa Xhafa-Mripa tha se, deri më tani janë grumbulluar mbi 1000 fustane dhe pritet që, deri më 6 Qershor kjo shifër të shkojë rreth 6000, duke dëshmuar se “jemi një me këto viktima”.

“Thjesht portretizojmë pafajësinë e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Në të njëjtën kohë, sic e përmendi edhe Presidentja, jemi një. Pra, me simbolikën e fundit apo fustanit, ne po dëshmojmë se jemi një”, tha Alketa Xhafa-Mripa, autore e instalacionit.

Ndërsa producentja Anna Di Lellio tha se, shoqëria kosovare tashmë është e gatshme të diskutojë lidhur me këtë problem.

“Kanë thënë se, shoqëria nuk është gati të flasë për këtë problem, por gjatë udhëtimit në të gjithë vendin kemi parë, që faktikisht shoqëria është shumë e gatshme. Shoqëria është e avancuar dhe çdonjëri po merr pjesë e po tregon simpati për gratë e torturuara dhe që i mbijetuan kësaj tragjedie. Burra e gra po i përkrahin ato dhe kjo është një gjë e mrekullueshme”, tha Anna Di Lellio, producente.

Përveç Presidentes, fustane dhuruan edhe ministra, deputetë, ambasadorë, deputetë, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, Doganës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e të vendit.

Sociologia Linda Gusia vlerësoi gjithë organizimin si akt solidariteti.

“Mendoj se, vetëm akti i dhënies së një fustani në mënyrë publike, me njëfarë ceremonie, tregon angazhimin tonë si individë, si qytetarë për këtë çështje. Është një akt i solidaritetit, i ndarjes së idesë, që secila prej nesh ka mundur të jetë viktimë e dhunës seksuale në Kosovë”, tha Linda Gusia, sociologe.

Pasi fustanet e mbledhura të ekspozohen në stadiumin e Prishtinës më 12 qershor, projekti do të finalizohet me një skulpturë të krijuar nga këto fustane, e cila pritet të vendoset në njërin ndër sheshet e Prishtinës.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel