Punësimi informal, problem firmat e ndërtimit

15/05/2015 00:00

Kreu i Inspektoriatit të Punës kërkoi forcimin e kontrollit tek bizneset e ndërtimit, që është një nga sektorët më problematikë sa i përket punësimit informal.

“Ka shumë informalitet në sektorin e ndërtimit. Shumë firma kontraktojnë punonjës dhe nuk ofrojnë asnjë kusht sigurie apo sigurimi shëndetësor. Ndaj është një problem që do të jetë në fokus të inspektorëve”, deklaroi Dritan Ylli, kryeinspektor i Sektorit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Në tremujorin e parë të këtij viti, kreu i Inspektoriatit të Punës thotë se ka patur shtim të zbulimit të punës informale në subjektet e licencuara.

Ndërsa në vitin 2014 informaliteti i konstatuar në total është 6.395 punëmarrës të papërfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore, krahasuar me një vit më parë.

Në takim u vu theksi edhe tek rastet e aksidenteve në punë, për të cilat kryeinspektori kërkoi më shumë vëmendje nga trupa inspektuese.

Top Channel