Kumanova, familjarët e kosovarëve: Në burg po i torturojnë

15/05/2015 00:00

Deklaratat e familjarëve se të burgosurit kosovarë në Maqedoni po keqtrajtohen kanë alarmuar qeverinë e Kosovës.

Ardian Arifaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, tha përmes telefonit për Top Channel se Ambasada e Kosovës në Shkup ka ftuar organizatën “Human Rights Watch” që të vlerësojë trajtimin e të burgosurve kosovarë në Maqedoni, si dhe gjendjen shëndetësore të tyre.

Ai tha se autoritetet e Prishtinës janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Shkup dhe po bashkëpunojnë ngushtë për verifikimin e shtetasve kosovarë të përfshirë në ngjarjet e fundjavës së kaluar në Kumanovë.

Ndërkohë, Alban Krasniqi, vëllai i Muhamet Krasniqit, i njohur si “Komandant Malisheva”, ka alarmuar të premten paradite për gjendjen e të arrestuarve kosovarë nga policia maqedonase. Ai ka shkruar në Facebook se gjendja e të burgosurve është e rëndë dhe jeta e tyre në rrezik.

Sipas Krasniqit, të burgosurit u janë nënshtruar torturave çnjerëzore nga policia maqedonase, kanë marrë plagë të rënda, ndërsa nuk po marrin asnjë mjekim. Sipas tij, ndërhyrja në ofrimin e ndihmës mjekësore është jetike.

Top Channel