“Fondi i inovacionit” për antibiotikët

15/05/2015 00:00

Zhvillimi i baktereve po ecën me ritme shumë herë më të larta sesa industria globale farmaceutike dhe kjo e fundit po bën pak për ta ndaluar atë.

Ndaj kësaj industrie i është kërkuar, që të paguajë një fond prej dy miliardë paund, që të bëjë kërkime të reja shkencore për antibiotikët. I cilësuar si “fondi i inovacionit”, ai do të qarkullojë nëpër depo farmaceutike apo të tjera qendra, të cilat janë enkas për prodhimin e ilaçeve të reja.

Në fakt janë shumë pak antibiotikë të rinj, në krahasim me përhapjen e baktereve, të cilat kanë fituar edhe rezistencë nga shumica e medikamenteve të mëparshme, duke i kthyer ato thuajse në joefektivë.

Ky propozim erdhi nga qeveria britanike dhe komisioni u drejtua nga ekonomisti Jim O’Neill. Ai u shpreh se duhet të rritet numri i antibiotikëve, me qëllim që bota të ketë ato çfarë i nevojiten për të trajtuar infeksionet.

Njëkohësisht, ky hap do t’i çelë rrugë edhe mjekësisë moderne. Në fakt, ajo që tingëllon si një fushë premtuese është fusha, ku do të punohet për të rritur efektivitetin e antibiotikëve ekzistues, një qasje kjo shumë më pak e kushtueshme, sesa përpjekja për të krijuar formula ilaçesh të reja.

Kanë kaluar thuajse 30 vjet, nga dekada që i fali botës një grup medikamentesh, të cilat përdoren gjerësisht edhe sot. E vërteta është se, kudo në botë ekzistojnë grupe shkencore që merren me studime të reja në fushën e mjekësisë. Por, sa i përket fazës finale të shpërndarjes së tyre në treg, shumë kompani të mëdha janë tërhequr. Kjo, për shkak se iu druheshin shitjeve të produkteve, e këtu bëhet fjalë për miliarda dollarë, që për ta do të përktheheshin si humbje.

Ndaj, ekipi britanik arriti në përfundimin se, ky fond i ri inovacioni do të shërbejë për kompanitë si një stimul, që të prodhojnë ilaçe të reja. Një parashikim i tyre flet se do të ketë 15 antibiotikë të rinj për një dekadë, të cilat do të jenë me kërkesë të lartë për t’u blerë anembanë globit, duke shpëtuar miliona jetë, e sigurisht miliarda paund për kompanitë farmaceutike.

Top Channel