ILDKPKI padit Tom Doshin për fshehjen e 23 milionë eurove

15/05/2015 00:00

ILDKPKI ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për deputetin Tom Doshi, i cili akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Bëhet fjalë për një shumë, që sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, shkon deri në 23 milionë euro. Shkeljet, sipas ILDKPKI-së, janë kryer nga viti 2005 deri në vitin 2014.

“Nga kontrolli për këtë periudhë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, si dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro”, thuhet në kallëzimin ILDKPKI-së.

ILDKPKI ka qenë ndër vite në dijeni të këtyre shumave, por asnjëherë nuk i ka bërë publike.

“ILDKPKI bën me dije se deputeti Doshi është kontrolluar nga viti 2005 deri më 2013-n disa herë, por, edhe pse në kontrollet e kaluara inspektorët e çështjes kanë evidentuar shkelje të ligjeve dhe konflikte interesi dhe kanë propozuar zgjidhjet sipas ligjit, drejtuesit e ILDKPKI-së i kanë mbajtur ato të fshehura, pa i dërguar dosjet në Prokurori, ashtu siç përcaktohet në ligjet bazë”, vijon njoftimi.

Inspektoriati ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kërkon që hetimet paraprake të kryera prej tij të shtrihen më tej “për të zbuluar nëse ka shkelje të tjera”.

Aktualisht ndaj deputetit Tom Doshi është vendosur masa “detyrim paraqitjeje” prej Gjykatës së Lartë, pas procesit gjyqësor të ngritur ndaj tij me akuzat e “kallëzimit dhe dëshmisë së rreme dhe kanosjes”.

Top Channel