Rriten shpresat për ribashkimin e Qipros, negociata me OKB-në si ndërmjetëse

15/05/2015 00:00

Një tjetër raund biseimesh mbi çështjen e ribashkimit të Qipros po mbahet këtë të premte në një nga mjediset e Kombeve të Bashkuara në zonën neutrale në Nikosi, sigurisht të ndërmjetësuara nga i dërguari special i OKB-së, Espen Barth Eide.

Presidenti i Qipros greke, Nicos Anastasiades, si dhe Presidenti i zgjedhur së fundi i Qipros turke, Mustafa Akinci, po shqyrtojnë çdo mundësi për të tejkaluar ngërçin në negociatat e paqes, të cilat ngecën gjatë Tetorit të vitit të kaluar.

“Kam shumë shpresa për të ardhmen dhe perspektivën tonë”, është shprehur Anastasiades për reporterët, përpara nisjes së takimit.

Synimi kryesor në këtë raund të parë është dakordësimi mbi strukturën dhe shpeshtësinë e takimeve të ardhshme. Ishulli është ndarë formalisht në dy pjesë në vitin 1974, kur trupat ushtarake turke mësynë pjesën veriore të tij, në kundërpërgjigje të një “grusht shteti” të mbështetësve të bashkimit të Qipros me Greqinë.

Qipriotët turq u tërhoqën nga institucionet qeveritare në vitin 1963, për shkak të dhunës së përgjithshme të ushtruar, ndërsa prej vitit 1983 ata kanë shpallur shtetin e tyre të pavarur.

Qipros iu dha anëtarësimi në Bashkimin Europian në vitin 2004, por kjo e drejtë aplikohet vetëm për pjesën jugore, rajon kryesisht me grekë. Pjesa veriore, tërësisht të varur prej mbështetjes së Turqisë, njihet zyrtarisht vetëm nga Ankaraja.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon mirëpriti rifillimin e negociatave përmes një deklarate të publikuar nga zëdhënësi i tij në Nju Jork.

“Me këtë vrull të vazhdueshëm për të arritur një zgjidhje për ndarjen e gjatë të ishullit, Sekretari i Përgjithshëm përshëndet angazhimin e udhëheqësve për të ecur përpara, pa vonesa”, lexohej në deklaratën e tij. “Sekretari i Përgjithshëm u bën thirrje udhëheqësve, që të përfitojnë nga kjo mundësi për të siguruar progres të prekshëm drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të ishte në përfitim të qartë si ndaj qipriotëve grekë edhe atyre turq”, vijonte më tej deklarata.

Edhe Uashingtoni ka mirëpritur bisedimet dhe shprehu “dëshirën e tij për të asistuar në këtë proces, në çfarëdo lloj mënyrë që palët negociuese do ta shihnin të nevojshme”.

Zgjedhja e Akincit, i cili mbështet ribashkimin e Qipros, si President i Qipros turke ka rigjallëruar shpresat për një zgjidhje të mundshme të këtij ngërçi. Akinci mposhti nacionalistin Dervis Erogly, në zgjedhjet presidenciale të Prillit që u mbajtën në të vetëshpallurën “Republika Turke e Qipros Veriore”. Me të ardhur në krye të pushtetit, ai irritoi Ankaranë, duke kërkuar më shumë pavarësi për qipriotët turq nga Turqia.

Edhe nëse arrihet një marrëveshje për ribashkimin e Qipros, akordi mes palëve do të duhet të hidhet në referendum për t’u miratuar ose refuzuar nga i gjithë populli ishullor.

Top Channel