Ekstradohet nga Greqia 30-vjeçari i akuzuar për trafik droge

15/05/2015 00:00

Një 30-vjeçar i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë.

I ekstraduari prej Athinës është shtetasi Dhimtri Memini, 30-vjeç, banues i qytetit të Vlorës. Ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur 3 vjet më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Memini në bashkëpunim me shtetasit me inicialet E.F. dhe J.M. është përpjekur të trafikojë nga Shqipëria drejt Greqisë 6 kilogram hashashi në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe të shtetasit me inicialet J.M. u gjet një sasi prej 23 kilogram të tjera lënde të dyshuar hashash, gati për trafik.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në Aeroportin e Rinasit ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Top Channel