Bastisen shtëpitë e kosovarëve të “Kumanovës”, gjenden armë dhe prova të tjera

15/05/2015 00:00

Policia e Kosovës njofton se ka përfunduar aksioni në shkallë vendi, në lidhje me ngjarjet e Kumanovës. Bastisjet u realizuan në 6 rajone të Kosovës, si në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Prizren.

Gjatë operacionit policor janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 11 persona, si dhe janë bastisur 38 vendndodhje të ndryshme, kryesisht shtëpi banimi.

Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar armë dhe municione të llojeve të ndryshme, si: 3 armë të gjata, dy armë të shkurtra, një armë e ftohtë thikë, një sasi municioni të kalibrave të ndryshëm, si dhe dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin, njofton Policia në një komunikatë për shtyp.

Operacioni i koduar “Kontrolli” u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, duke ekzekutuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për realizimin e një operacioni të gjerë në nivel vendi, i cili ndërlidhej me dyshimet për vepra të rënda penale.

“Institucionet kompetente, duke u bazuar në mandatin ligjor, do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e të gjitha akteve kriminale, duke përfshirë edhe rastet e armëmbajtjeve pa leje”, përfundon komunikata.

Top Channel