Kandidati demokrat Kosova: Parku i Liqenit nuk do të preket

15/05/2015 00:00

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, në një forum për mjedisin ka premtuar shtimin e hapësirave të gjelbërta në kryeqytet. Zoti Kosova theksoi se ka ende mundësi të shumta për të përmirësuar mjedisin e rënduar nga ndërtimet, gjë që sipas tij do të realizohet menjëherë pas marrjes së drejtimit të bashkisë.

Në fjalën e tij, Kosova kërkoi shndërrimin e qytetit në një mjedis më miqësor dhe më të shëndetshëm për banorët e tij.

Ai tha se në takimet e shumta që ka patur gjatë kësaj kohe, qytetarët kanë ngritur kërkesa për më shumë parqe, lulishte e pemë, kërkesa, që siç tha ai, do të shqyrtohen në rast fitoreje.

“Kam pasur kërkesa për pemë, parqe, lulishte. Unë u them sot se çdo kërkesë e qytetarëve do të shqyrtohet për të bërë dhe punuar që në çdo vend ku ka mundësi për një pemë, të mbjellim një pemë, në çdo vend ku ka nevojë për një lulishte, ta bëjmë atë, ku ka nevojë për një kopësht, ta bëjmë atë”, – tha Kosova.

Më herët, kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova premtoi se do të ndërtonte një spital bashkiak, vetëm për banorët e kryeqytetit. Duke biseduar me banorët e Laprakës, ai theksoi se transparenca e buxhetit të bashkisë do të jetë një detyrë prioritare në bashki.

Top Channel