Finlandezi Bottas dhe… e ardhmja me “mitin Ferrari”

15/05/2015 00:00

Historia e Valtteri Bottas nis nga Nastola, një qytet prej 15 mijë banorësh në jug të Finlandës.

“Isha 5 vjeç, kur mora pjesë në garën e parë me makinat kart. Atë ditë vendosa të bëhesha pilot i Formula 1 dhe jam rritur me mitin, Mika Hakkinen. Edhe ai e nisi nga makinat kart për t’u bërë idhull i shumëkujt”, rrëfen Bottas duke iu referuar vitit të largët 1994.

Ndërkohë, Bottas sot është njëri prej pilotëve më të spikatur të Formula 1. Nën drejtimin e një Williamsi, ai po tregon garë pas gare se ka cilësinë e një piloti tepër të mirë. Mbi të gjitha është i qetë dhe rrjedh nga një familje normale.

Me shumë mundësi, Bottas do të jetë në qendër të merkatos në fund të këtij sezoni. Madje, emri i tij është përfolur shpesh bashkëngjitur atij të Ferrarit, por urdhrat e skuderisë ia ndalojnë të flasin për të ardhmen…

I ndodhur gjatë një mbrëmjeje londineze dedikuar një sponsori, ai ka dhënë një intervistë për Gazzetta dello Sport, ku ndër të tjera thekson se “pa ndihmën e prindërve nuk do të kishte mbërritur kurrë në këto nivele”. Sipas tij, ata “nuk janë të pasur, por më kanë mbështetur me këshillat e duhura. Kanë qenë tepër të zotë, që më kanë këshilluar persona të besueshëm, të cilët më kanë ndihmuar vërtet të gjej sponsorët e mi”.

Fitorja e parë e tij ka ardhur në vitin 2008, kur triumfonte në “Formula Renault Eurocup”, nga ku u dhanë edhe shkëndijat e para se “Formula 1 nuk do të ishte veçse një ëndërr”. Kjo, falë edhe “tokës së premtuar” të pilotëve, siç konsiderohet Finlanda. Dhe Bottas e ka një shpjegim. “Pista jonë e garave kart është e një niveli të lartë dhe kompeticioni tepër selektiv. Ai që fiton ecën përpara, duke pasur edhe mundësi për t’u bërë një pilot i rëndësishëm. Por ndikon edhe natyra jonë: kemi rrugë të shkëlqyera. Gjithsesi, na ndihmon shumë edhe fakti që për disa muaj të vitit ngasim makinat në rrugë me akull. Kjo është një shkollë shumë e mirë”.

Në lidhje me thashethemet që e drejtojnë drejt Ferrarit… “Është një emër që të tërheq shumë. Është i famshëm në botë, ndërsa ngjyra e kuqe e bën edhe më të madh mitin. Megjithatë, në Formula 1 ka edhe ikona të tjera, siç janë Mercedesi dhe Williamsi”. E pavarësisht hapit të distancuar të dy “shigjetave të argjendta”, ai thotë se Ferrari dhe Williams janë aty pranë.

Nuk mund të mungonte edhe një reagim për dramën e Schumacherit. “Është një tragjedi, për momentin pa viktima. Por të mendosh sesa ka rrezikuar në jetë dhe çfarë i ndodhi… të rrënqeth mishin”. Një tjetër idhull i tij, sigurisht jo në sportin e automobilizmit, është Valentino Rossi. “Është i jashtëzakonshëm, por nuk e kam menduar kurrë të garoj me motor”.

Top Channel