Shpërthimet në Marinzë, prokuroria nis hetimet për 7 punonjës të “Bankers”

15/05/2015 00:00

Të paktën shtatë persona, drejtues administrativë dhe teknikë të “Bankers Petroleum” dhe kompanive të nënkontraktuara prej saj, janë identifikuar si përgjegjës për shpërthimet e gazit në zonën e Marinzës.

Prokuroria e Fierit njoftoi fillimin e hetimeve për veprën penale “shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “ndotje e ajrit” për shtetasit Leonidha Çobo, drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum”, Lane Gardipee, supervizor shpimi i “Bankers Petroleum” për operacionet e sondës ku ndodhi incidenti, Wayne Gaunt, menaxher për operacionet e shpimit të “Bankers”, Steve Hrushka, menaxher i sondës së shoqërisë “Simmons”, e kontraktuar nga “Bankers”, Mike Davy, përgjegjës mbikëqyrës për operacionet e shpimit po i kompanisë “Simmons”, Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit i shoqërisë “Rotary”, e nënkontraktuar nga “Bankers” dhe Tibor Vargon, inxhinier po i së njëjtës kompani.

Menjëherë pas shpërthimit të gazit natyror në zonën e Marinzës, Prokuroria e Fierit nisi hetimin, në kuadër të të cilit u administruan raportet e inspektimit dhe kontrollit të disa institucioneve qendrore e vendore, mbi bazën e të cilëve u krijuan dyshimet konkrete mbi 7 personat e marrë tashmë nën hetim.

Ndërkohë, në vijim të hetimit, Prokuroria e Fierit është në pritje të raportit nga Drejtoria e Tatimeve lidhur me veprimtarinë financiare të kompanisë “Bankers Petroleum”.

Top Channel