Pasi qeveria greke ka marrë disa javë më parë paratë e skemave të sigurimeve shoqërore, të arkave të bashkive e prefekturave të vendit, për të paguar detyrimet qindramilionëshe të FMN-së, si dhe pjesë të pagave dhe pensioneve, Athina zyrtare ka kërkuar mesditen e së premtes diçka të pazakontë.

Me një shkresë zyrtare, Ministria e Jashtme greke u ka kërkuar Ambasadave dhe Konsullatave greke në Europë dhe gjithë botën, të kthejnë urgjentisht tek organi i tatimtaksave në Greqi, të gjitha depozitat e mbledhura deri në këto momente me të ardhurat nga veprimtaria e tyre.

Lajmin e publikon gazeta “To Vima”, sipas së cilës, bëhet fjalë për të adhurat që përfitohen nga pagesat e dhënies së vizave, të akteve noteriale e zyrtare në zyrat përkatëse të tyre, që në të kaluaren përpjestoheshin pjesërisht me shpenzimet e funksionimit të këtyre institucioneve, ndërsa pjesa tjetër i kthehej Ministrisë së Jashtme.

Siç dihet, ka disa Ambasada dhe Konsullata greke, që mbledhin të ardhura të konsiderueshme nga dhënia e vizave turistike.

Burime diplomatike bëjnë me dije se është hera e parë që dërgohet një shkresë e tillë zyrtare në përfaqësitë diplomatike në të gjithë botën, për të mbledhur urgjentisht të ardhurat, ndërsa shumë media vendase e komentojnë këtë akt si një përpjekje të dëshpëruar të Athines zyrtare për të mbushur sadopak arkat e boshatisura të shtetit.

Madje, siç bëhet e ditur, janë kërkuar edhe të ardhurat e Parlamentit grek, por kryetarja e këtij institucioni nuk ka pranuar t’u bindet këtyre urdhrave.

Greqia ndodhet në momentet më kritike të saj, pak hapa larg falimentimit, teksa po negocion me huadhënësit për marrjen e këstit të fundit nga paketa e ndihmës ekonomike, me kusht reformat strukturore dhe financiare.

Radikalët e majtë kanë më shumë se tre muaj që nuk bien dakord me kreditorët e tyre, pasi nuk pranojnë të shkelin premtimet elektorale.

Ndërkohë që paratë mjaftojnë vetëm për disa javë, ata ndodhen jo vetëm nën presionin e huadhënësve, por edhe të një pjese të mirë të përkrahësve të tyre, të cilët nga njëra anë kërkojnë të mos dorëzohen nga kërkesat e kreditorëve, dhe nga ana tjetër Greqia të mbetet pjesë e Eurozonës.

Top Channel