Priste vajzë pas 12 djemve, por sjell në jetë të…13-in

15/05/2015 00:00

Një çift amerikan që kishte 12 djem dhe asnjë vajzë, është shtuar me një tjetër anëtar, pasi të enjten në mëngjes ka ardhur në jetë djali i trembëdhjetë. Sipas traditës familjare, Jay dhe Kateri Schwandt nuk kishin asnjë informacion për gjininë e fëmijës, ndërsa mësuan se është djalë në momentin kur erdhi në këtë botë.

“Po mendoja, po sikur të jetë vajzë? Nuk e di si do reagoja”, ka thënë nëna e 13 fëmijëve, Kateri që ka mbushur 40 vjeç. Anëtari më i ri, që ende nuk është pagëzuar me ndonjë emër, do t’u bashkohet vëllëzërve tjerë që janë Tyler 22 vjeç, Zach 19, Drew 18, Brandon 16, Tommy 13, Vinnie 12, Calvin 10, Gabe 8, Wesley 6, Charlie 5, Luke 3 dhe Tucker 21 muajsh.

“Ndonjëherë në shtëpi bëhet kaos; djemtë rebelohen, por mbi të gjitha mbizotëron dashuria”, ka vazhduar zonja Schwandt, familja e së cilës kishte 14 anëtarë, ndërsa vetë ishte fëmija i 13-të. Kur e pyesin, nëse do të dëshironte të kishte një tjetër fëmijë, ajo thotë se nuk i dihet. “Kurrë mos thuaj kurrë”-, është shprehur Kateri, duke qeshur.

Çifti, bashkë me 12 djemtë, kanë filluar të bëjnë një listë me emra për të gjetur më të mirin për anëtarin më të ri. Ndërkohë që mendohen, familja ka marrë disa oferta për të bërë disa dokumentarë, por edhe për të instaluar disa kamera në shtëpi, në mënyrë që të përfshihen në disa emisione “reality-show”.

Top Channel