Lavrov në Serbi: Kosova e pashpresë. Ballkani mund të shpërthejë

15/05/2015 00:00

Vizita në Serbi e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ka shërbyer për deklarime politike, ndarje dhe mbrojtje kufijsh në Ballkan.

Shefi i diplomacisë ruse, gjatë vizitës në Beograd, me rastin e një konference për shtyp ka deklaruar se Rusia është e interesuar të zgjidhë problemet në mënyrë të drejtë.

Ai ka folur për situatën në Maqedoni, por edhe Kosovën e ka quajtur të pashpresë.

“Rusia shpreh shqetësim të madh për shkak të ngjarjeve të fundit në Maqedoni por edhe për situatën në Kosovë, e cila nuk lë hapësirë për optimizëm dhe shpreh pretendimet për Shqipërinë e Madhe. Problemet që mblidhen kërcënojnë të shpërthejnë. Ne duam t’i zgjidhim këto, duam të pengojmë rishikimin e kufijve dhe duam zgjidhje të drejta, qoftë për Kosovën, Bosnjen apo Maqedoninë”, tha Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

I pritur nga shumë zyrtarë të shtetin serb, Lavrov është falënderuar për mbështetjen që i jep Serbisë. Pavarësisht kritikave nga Bashkimi Europian për një qëndrim shumë konfuz rreth situatës në Ukrainë, zyrtarët serbë janë shprehur se marrëdhëniet me Rusinë nuk janë tregti, ndërsa sipas tyre, BE-ja toleron shqiptarët.

Përveç ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiç, edhe Presidenti Tomisllav Nikoliç ka akuzuar shqiptarët.

“Krejt këto janë pasoja të shpalljes së të ashtuquajturës pavarësi dhe shtet të Kosovës, dëshirave të saj, por edhe të Shqipërisë për formimin e një Shqipërie të Madhe, që do të përfshinte të paktën 4 shtete të Ballkanit”, tha Tomisllav Nikoliç, President i Serbisë.

Serbia drejton OSBE-në në këtë periudhë, ndaj Rusia ka vlerësuar punën e saj për situatën në Krime.

Top Channel