Dënim me vdekje për atentatorin e Maratonës së Bostonit. Ekzekutim me injeksion vdekjeprurës

15/05/2015 00:00

Një juri amerikane ka dënuar me vdekje këtë të premte atentatorin e mbetur gjallë të bombave në Maratonën e Bostonit, për shkak të rolit të tij ndihmues gjatë sulmit të vitit 2013, ku mbetën të vdekur 3 persona, u plagosën 264 të tjerë, 17 prej të cilëve me gjymtyrë të prera. Vendimi erdhi pas rreth 15 orë diskutimesh.

Juria federale zgjodhi dënimin kapital me injeksion vdekjeprurës për 21-vjeçarin Dzhokhar Tsarnaev, edhe pse ekzistonte mundësia që ai të dënohej me burgim të përjetshëm pa pasur mundësinë për t’u liruar me kusht ndonjëherë.

I njëjti panel, muajin e kaluar e shpalli fajtor shtetasin e etnisë çeçene për vendosjen e dy bombave artizanale të përbëra nga tenxhere me presion, në garën e vrapimit që mbledh qindra vrapues, e pikërisht në vijën e “finish”-it të saj më 15 prill të vitit 2013. Pas këtij akti, ai së bashku me të vëllanë, teksa përpiqej të arratisej qëlluan për vdekje edhe një polic.

Bombat në Maratonën e Bostonit shënuan sulmin më të madh në tokën amerikane që prej 11 Shtatorit 2011. Gjatë 10 javëve dëshmish, juria dëgjoi mbi 150 dëshmitarë, përfshi edhe njerëzit të cilët mbetën të gjymtuar prej shpërthimit të bombave.

Prokurorët e përshkruan Tsarnaevin si një aderues të pikëpamjeve islamike të militantëve të Al Kaedës, i cili e kreu atë veprim në shenjë hakmarrjeje për fushatat ushtarake amerikane në vendet e dominuara prej muslimanëve.

Avokatët mbrojtës hapën gjyqin më 5 Mars, me pranimin e hapur se Tsarnaev kishte kryer të gjitha krimet për të cilat akuzohej. Por, ata argumentuan se klienti i tyre ishte partneri më i vogël i një skeme kriminale, të cilën e kishte ideuar vëllai i tij 26-vjeçar, Tamerlan. Ky i fundit mbeti i vdekur gjatë shkëmbimzjarrit me forcat speciale gjatë arratisjes, që përfundoi kur Dzhokhar nga ankthi dhe pamundësia për të gjetur shpëtim e shtypi atë me një makinë të vjedhur.

Top Channel