Mesazhi i Donald Lu për dekriminalizimin, vizita e Erdogan dhe situata në Maqedoni

15/05/2015 00:00

Për aktualitetin e ditës dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, i ftuar në studiot e edicionit qendror informativ në Top Channel ishte si çdo të premte, analisti Skënder Minxhozi.

Ilir Paço: Çfarë ka nën rreshta mesazhi i ambasadorit amerikan, Donald Lu për partitë politike përsa i takon dekriminalizimit?

Skënder Minxhozi: Është një mesazh i fortë i Donald Lu, ashtu si edhe i të tjerëve diplomatë këto javë, që politika shqiptare të pastrohet nga elementët kriminalë. Është një zgjedhje e një diplomati që flet në mënyrë të qartë, duke i bërë thirrje partive politike, edhe drejtësisë, kreut të shtetit, kryeprokurorit dhe institucioneve, që mund të bëjnë të mundur pastrimin e politikës shqiptare që e quan normale në rrugën drejt një demokracie funksionale.

Ilir Paço: Prisje Vlahutin që të fliste në datën 13, e kishe merak të premten e kaluar…

Skënder Minxhozi: Intervista është marrë në datën 12. Përgjigjia e tij është njëherësh edhe e gjithë trupit diplomatik në Tiranë, në formën e një apeli, pa emra dhe pa lista, sikundër do të donin mediat dhe publiku, por sërish mbetet një mesazh i fortë dhe i fuqishëm.

Ilir Paço: Vizita e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ishte në qendër të vëmendjes në Shqipëri, por deklaratat e tij për kërkesat që i ka adresuar shtetit shqiptar për shkollat e Fetullah Gylenit në Shqipëri, sollën polemika të shumta.

Skënder Minxhozi: Është një vizitë e një miku të Shqipërisë, e një shteti të fuqishëm dhe partneri që e kemi vlerësuar si më cilësorin në bashkëpunimin strategjik, një vend i fuqishëmm. Por do të thoja që vizita, për arsye të Erdoganit, u kthye në një vizitë të shkopit dhe karrotës. Pra do t’u jap ca karrota, po edhe këtë shkopin që do duhet ta përdorni. Kjo shkaktoi reagime edhe në parlament. Është një vizitë që krijoi hije të konsiderueshme sa i përket aspektit të atij meraku që ai kishte me Gylen dhe e transportoi këtë duke e vendosur në pozitë të vështirë Qeverinë shqiptare për të marrë një vendim. Do të jetë një vendim, siç u pa sot nga reagimi i minisres Lindita Nikolla, një vendim i vështirë për t’u marrë.

Ilir Paço: Shkupi nuk po gjen qetësi. Pas ngjarjeve të Kumanovës, vëmendja është përqendruar tek dorëheqja e mundshme e Gruevskit, skandali i përgjimeve dhe protestave të opozitës, që këtë të dielë do të nisin dhe, siç thotë opozita, nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e tij.

Skënder Minxhozi: Maqedonia është një vend, jo në një trazirë etnike, por në një trazirë dhe konflikt politik. Kumanova është degëzim i tensionit politik në Shkup. Një sherr i madh mes VMRO-DPMNE-së dhe opozitës së majtë. Zaev ka nxjerrë faqe të tëra përgjimesh ku përfshihen figura më të larta të shtetit maqedon, që shtynte sot një gazetar që t’i bënte pyetje, i drejtohej kryeministrit me a e njihte fjalën turp? Në një vend me balanca të brishta etnike, ky tension politik është i vështirë. Konflikti më i ndezur dhe më afatgjatë, është ai politik mes LSDM dhe VMRO, që u degëzua në konflikt etnik në Kumanovë.

Top Channel