Kukës, ministri Cani inspekton dy fabrika të pasurimit të kromit

15/05/2015 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ishte për një vizitë pune në veri të vendit.

Gjatë vizitës së tij fillimisht ministri Cani ishte në Kalimash të Kukësit, ku ka ndjekur nga afër realizimin e investimit në fabrikën e pasurimit të kromit, ku ngritja e kësaj fabrike do të mundësohet nga investitorë austriakë, amerikanë dhe shqiptarë. Në këtë fabrikë pritet të punësohen rreth 100 punëtorë.

Vlera totale e investimit do të jetë 2.5 milionë euro, nga të cilat makineri e pajisje janë 2.1 milionë euro dhe teknologjia e pasurimit do të jetë bashkëkohore, perëndimore dhe e lëvizshme nga një zonë minerare në tjetrën.

Në këtë linjë humbjet teknologjike do të jenë shumë të vogla, nuk do të ketë ndotje në mjedis. Kosto e prodhimit të koncentratit të kromit do të jetë shumë më e ulet se sa kosto me teknologjitë ekzistuese. Projektet e kësaj linje janë bërë nga ekspertë ndër më të mirët në këtë fushë në Suedi, Austri dhe Shqipëri.

Kurt Schober, inxhinier dhe specialist i makinerive të pasurimit të kromit tha se teknologjia e ofruar është bashkëkohore, me të gjitha parametrat e duhura.

Më pas, ministri i Financave ka udhëtuar për në Has, në një tjetër fabrikë të  pasurimit të kromit, “Perollaj”, një investim i ri prej rreth 3 milionë dollarësh.

Ministri i Financave pasi u interesua të mësojë nga investitorët austriakë dhe amerikanë në Kalimash dhe në Has, tha se qeveria vlerëson maksimalisht këto investime në këto zona, jo vetëm sepse pasuritë e tyre janë ende të fjetura, por sepse këto zona kanë nevojë për punësim dhe rritje të të ardhurave.

“Qeveria do të ndihmojë për të realizuar në periudhë rekord procedurat për lejet dhe kontratat me qëllim që investimet të fillojnë të sjellin jo vetëm të ardhura për buxhetin, por edhe rritje ekonomike për këto zona”, u shpreh ministri Cani.

Top Channel