Ngjarje tragjike në Napoli, infermieri 48-vjeçar ekzekuton 4 persona; plagos 5 të tjerë

16/05/2015 00:00

Një ngjarje tragjike u regjistrua pasditen e së premtes në Secondigliano, një lagje në Napoli, ku mbetën të vrarë 4 persona, ndërsa 5 të tjerë u plagosën.

Pas një mosmarrëveshjeje me të vëllain dhe bashkëshorten e tij, 48-vjeçari Giulio Murolo, infermier në spitalin Cardarelli, hapi zjarr duke vrarë vëllain, kunatën, më pas një efektiv të policisë bashkiake dhe një kalimtar, i cili po udhëtonte me motor para banesës së autorit, në momentin kur ndodhi ngjarja.

Një koleg në spitalin Cardarelli i 48-vjeçarit, i cili pas ngjarjes u dorëzua efektivëve të policisë, e përshkroi atë si një njeri të mbyllur në vetvete, por që asnjëherë nuk kishte treguar shenja agresiviteti.

Sipas shefit të Policisë së Napolit, Giulio Murolo, një i apasionuar pas gjuetisë, ka ekzekutuar fillimisht kunatën dhe vëllain e tij, brenda ndërtesës dy katëshe ku banonte, ndërsa më pas infermieri zuri pozicion në ballkonin e banesës dhe filloi të qëllonte mbi kalimtarët e rastit.

Fqinjët kanë thënë se mosmarrëveshjet mes autorit, i cili ishte i pamartuar dhe vëllait e kunatës vazhdonin prej vitesh, ndërsa ata jetonin ngjitur me njëri-tjetrin.

Një dëshmitar tha se “ishte ora 15:15 kur dëgjuam të shtënat. Të paktën 15 të tilla. Fillimisht menduam se ishte falso, pasi një ditë më parë, disa metra më tutje po regjistrohej një pjesë e serialit “Gomorra”. Pastaj pashë një djalë të shtrirë përtokë dhe një person të armatosur që lëvizte i tensionuar në ballkon”.

Pas mbërritjes së forcave të policisë, Murolo nuk ka bërë rezistencë ndërsa u dorëzua, por u ndesh me zemërimin e dhjetëra personave që u mblodhën pas arrestimit të tij.

Kryebashkiaku i Napolit, Luigi de Magistris, shpalli një ditë zie. “Një tragjedi e madhe për Napolin”, tha ai.

Top Channel