Përgjaken zgjedhjet në Meksikë, ekzekutohen dy kandidatë; rrëmbehet një tjetër

16/05/2015 00:00

Dy kandidatë në zgjedhjet lokale të muajit qershor në Meksikë janë ekzekutuar gjatë 24 orëve të fundit.

Enrique Hernandez Salcedo, i cili ishte kandidat për kryetar bashkie në Yurecuarom, u qëllua për vdekje gjatë fushatës në një shesh publik nga persona të armatosur. Vetëm pak orë më vonë në Huimanguillo, Hector Lopez Cruz u qëllua me breshëri plumbash në rrugicën pranë shtëpisë së tij, ndërsa i vëllai i tij mbeti i plagosur.

Ditën e martë, Silvia Romero, ish-ministre e Arsimit, aktualisht kandidate në zgjedhjet lokale, u rrëmbye nga persona të panjohur. Deri tani zyrtarët vendas kanë qenë tepër të rezervuar në dhënien e detajeve në lidhje me vrasjet si dhe mbi rrëmbimin e zonjës Romero.

Tre ngjarjet e kësaj jave vijnë pas dy ngjarjeve të tjera të ngjashme të muajve të fundit. Aide Nava, kandidate nën siglën e partisë PRD, u ekzekutua nga anëtarë të një bande kriminale, të cilët më parë i kishin vrarë bashkëshortin dhe i rrëmbyen djalin. Vrasësit e lanë trupin e pajetë të Aide Nava-s në një rrugë, ku kishin lënë edhe një mesazh: “Kjo është ajo që do të ndodhë me të gjithë politikanët e ndyrë”.

Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Neto, ka thënë se zgjedhjet e 7 Qershorit do të jenë referendum për mandatin e tij, ndërsa meksikanët do të votojnë në 500 zona zgjedhore.

Top Channel